Axhenda ekonomike e senatores Elizabeth Warren

Amerika

Axhenda ekonomike e senatores Elizabeth Warren

Më: 7 shtator 2019 Në ora: 19:39
Elizabeth Warren

Senatorja amerikane Elizabeth Warren është ngjitur në vendin e dytë në sondazhet e opinionit publik dhe po tërheq turma të mëdha ndërsa vazhdon fushatën për të marrë emërimin si kandidate për presidente e Partisë Demokrate në zgjedhjet e vitit 2020. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden njofton se edhe nëse zonja Warren nuk merr emërimin e partisë, propozimet e saj të hollësishme ekonomike mund të diskutohen për një kohë shumë gjatë në garën presidenciale si një plan për ndryshime që ka gjasa të entuziazmojë një pjesë të votuesve dhe të armiqësojë një pjesë tjetër.

Në një tubim të fundit në qytetin veri-perëndimor Siatëll, mbi 15,000 njerëz erdhën për të mbështetur kandidaten demokrate Elizabeth Warren dhe axhendën e saj të detajuar për të luftuar pabarazinë ekonomike në Amerikë.

"Unë nuk dua një qeveri që punon për korporatat gjigande. Dua një qeveri që punon për familjet tona”, tha senatorja Warren para mbështetësve.

Propozimet e saj ekonomike përfshijnë vendosjen e një takse shtesë prej 2 për qind për familjet e pasura që fitojnë mbi 50 milionë dollarë në vit, dhe një taksë shtesë prej 7 për qind për korporatat me të ardhura mbi 100 milionë dollarë në vit.

"Ajo që po themi është se, kur ju arrini në grupin e më të pasurve, të 0,001 për qind të popullatës, atëherë kontribuoni dy centë, në mënyrë që të gjithë të kenë një shans t’ia dalin në këtë vend", tha zonja Warren.

Rreth 2,75 trilionë dollarë të ardhura nga taksat që do të krijoheshin për një dekadë nga kjo politikë do të ndihmonin në financimin e programeve të zgjeruara të trajnimit për vende të punës.

Senatorja Warren gjithashtu dëshiron të detyrojë kompanitë e mëdha teknologjike si Google dhe Facebook që t'i shërbejnë interesit publik, në vend që të fokuohen vetëm tek fitimet, dhe t'i lejojnë punëtorët të zgjedhin 40 për qind të anëtarëve të bordit të kompanisë, të krijojnë marrëveshje tregtare ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut jashtë vendit dhe mbrojnë vendet e punës për punëtorët në Shtetet e Bashkuara.

Pavarësisht nëse ajo përfundimisht fiton betejën për të marrë emërimin e demokratëve apo jo, plani i senatores Warren, "Patriotizmi Ekonomik" po detyron rivalët demokratë t'i përgjigjen projektit progresiv të saj për ndryshim dhe mund të rezonojë gjatë gjithë ciklit zgjedhor të vitit 2020.

"Kjo sigurisht që po i shtyn kandidatët e tjerë që të prodhojnë propozime më të hollësishme politike", thotë John Halpin nga Qendra për Progresin Amerikan.

Në të njëjtën kohë, propozimet e saj mund të përdoren nga Presidenti Trump dhe republikanët për të portretizuar demokratët si socialistë radikalë.

"Kur ai thotë se demokratët janë socialistë, ju mund t’i referoheni elementeve të axhendës së senatores Elizabeth Warren që janë shumë më liberale se gjithçka që Barack Obama ose Bill Klintoni kishin mbështetur ndonjëherë", thotë konsulenti republikan Alex Conant nga firma Firehouse Strategies.

Warren mbështet zgjerimin e kujdesit shëndetësor të financuar nga qeveria për të gjithë amerikanët, siç propozohet nga rivali i saj, senatori nga Vermonti, Bernie Sanders.

Zonja Warren ka kritikuar tarifat e njëanshme të Presidentit Trump për mallrat e prodhuara jashtë vendit, duke i quajtur "të pamatura", por la të kuptohet se ajo gjithashtu mund të përdorë tarifat si pjesë e një "politike koherente tregtare".

Së bashku me demokratët e tjerë progresivë, ajo mbështeti Marrëveshjen e Re të Gjelbër për t'i dhënë fund varësisë së Amerikës ndaj karburanteve fosile, dhe propozoi të investohen 2 trilionë dollarë në teknologjitë e prodhimit të energjisë së rinovueshme.

Votuesit e moderuar, shpesh skeptikë ndaj programeve të zgjeruara dhe të shtrenjta të qeverisë, mund të jenë një faktor vendimtar në rastet kur rezultati i zgjedhjeve është i ngushtë.

Por mbështetësit e senatores Warren argumentojnë se çelësi i fitores në vitin 2020 do të jetë krijimi i entuziazmit në mesin e shtresës punëtore me një axhendë në thelb progresiste./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat