Donald Trump dhe Melania nisin fushatë kundër cigareve elektronike

Amerika

Donald Trump dhe Melania nisin fushatë kundër cigareve elektronike

Më: 12 shtator 2019 Në ora: 17:31
Donald Trump dhe Melania

Autoritetet amerikane të shëndetësisë po mendojnë të ndalin shitjen e të gjitha cigareve elektronike me aromë.

Produktet kanë nisur të përdoren në masë të madhe nga gjimnazistët dhe studentët, por që gjashtë prej tyre kanë vdekur nga sëmundjet mushkërore.

Thithja e cigareve elektronike aromatike po kthehet në një epidemi vdekjeprurëse për moshat e reja në Amerikë.

Të paktën 450 pacientë janë diagnostikuar me sëmundje misterioze të mushkërive, ethe, kollë apo të vjella në 33 shtete të vendit, nga të cilët 6 kanë gjetur vdekjen.

Për pasojë, qeveria amerikane, me mbështetjen e agjencisë për kontrollin e ushqimeve dhe medikamenteve, ka propozuar ndalimin e plotë të tyre.

“Kemi një problem me cigaret elektronike në vendin tonë, që po prek fëmijë të pafajshëm dhe po u merr jetën. Askush nuk do e mendonte këtë,” deklaroi të mërkurën presidenti Donald Trump.

Përkrah tij, zonja e parë, Melania Trump, dhe ministri i shëndetësisë, Aleks Azar, thanë se aktualisht në Amerikë ka 8 milionë të rritur që përdorin cigare elektronike me shije menteje apo freskuese.

Raportohet se gati 25 për qind e gjimnazistëve janë konsumtarë të këtyre cigareve, një rritje dyshifrore nga viti 2017.

“Po rritim një brez të tërë fëmijësh të varur nga nikotina,” u shpreh i shqetësuar ministri amerikan, duke paralajmëruar ndalimin e disa produkteve brenda muajit derisa të publikohen kritere të qarta.

Cigaret elektronike me shije duhani do të vazhdojnë të jenë disponueshme në treg për personat e rritur që i përdorin për të hequr dorë nga cigaret e vërteta.

Disa shtete, mes tyre Miçigani, San-Francisko apo Kolorado e kanë ndaluar shitjen e cigareve të aromatizuara, dhe një hap të tillë po hedh edhe qyteti i Nju-Jorkut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat