Ish-lojtari i hokejt, sot ligjvënës republikan - Bota Sot
Ish-lojtari i hokejt, sot ligjvënës republikan

Amerika

Ish-lojtari i hokejt, sot ligjvënës republikan

Më: 16 shtator 2019 Në ora: 07:09
Pete Stauber

Zëri i Amerikës ka ndjekur nga afër punën e ligjvënësve të rinj amerikanë për të dokumentuar sfidat dhe sukseset e vitit të tyre të parë në Kongres. Projekti “Në ngjitje” përcjell përvojën e demokrates nga Kalifornia Katie Porter dhe të republikanit nga Minesota, Pete Stauber. Këtë radhë do të shohim se si ligjvënësi Stauber përpiqet të ngajë kohën dhe vëmendjen mes Uashingtonit ku ai është ligjvënës i rid he Minesotës ku ndodhet elektorati i tij si dhe gruja dhe katër fëmijët. Kjo është një situatë disi normale në ditët tona. Vite më parë familjet e ligjvënësve zhvendoseshin në Uashington dhe jetonin në kryeqytet gjatë gjithë mandatit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti na tregon se si zoti Stauber ka realizuar tranzicionin në politikë nga karriera e mëparshme si polic dhe si lojtar profesionist i hokejt.

Pete Stauber është në vitin e parë si ligjvënës nga Duluth i Minesotës, një qytet-port në breg të Liqenit të Madh.

"Këtu vijmë për argëtim. Merrem me gjueti, me peshkim, luaj hokej. Edhe në rini kështu e kaloja kohën,” tregon ligjvënësi.

Jeta në Duluth ndryshoi kur filloi të shoqërohej me të shoqen, Jodi.

“Nuk është për t’u habitur? Kanë kaluar pak a shumë dy vjet që kur filluam të mendojmë se mund të konkurroje për Kongres,” thotë gruaja.

"Shkuam në Uashington të takoheshim me disa anëtarë të Kongresit që të shihnim jetën e ligjvënësit, nëse martesa e përballon këtë ndryshim. Nëse do të arrija të përmbushja detyrat e prindit dhe njëkohësisht rolin e ligjvënësit,” thotë zoti Stauber.

Para se të dilte në pension, Jodi Stauber ishte e para grua në rolin e komandantes së skuadrës ajrore të njësisë së Gardës Kombëtare në Duluth.

“Do të ishte e vështirë të vazhdoja punën, pasi kam një djalë me nevoja të veçanta,” thotë Jodi.

Tani ajo kujdeset për katër fëmijët. Ky skenar haset shpesh kur burri sapo është zgjedhur në Kongres.

“Kur e di se gruaja dhe fëmijët janë mirë dhe nën përkujdesje, kur e di se s’kam përse merakosem, atëherë mund të përqëndrohem tek detyrat e ligjvënësit,” thotë zoti Stauber.

Gjatë fushatës për Kongres, vizita e presidentit e ndihmoi kandidatin Stauber të fitonte në një zonë të njohur për mbështetjen e demokratëve. Presidenti premtoi të anulonte rregulloret e vëna nga administrata e mëparshme mbi sektorin e minierave.

Këto premtime çimentuan pozicionimin e zotit Stauber si mbështetës i interesave të sektorit industrial.

Jimmy Lovrien dhe Brady Slater punojnë për gazetën lokale Duluth News Tribune.

"Mendoj se Presidenti Trump po fliste me të njëjtat terma: ‘Mjaft me këto rregulla, mjaft me këtë qëndrim. Duhet të veprojmë’,” thotë Jimmy Lovrien.

"Prezenca e presidentit u tregoi përkrahësve të zotit Trump se Pete kishte përkrahjen e presidentit gjë që shtoi kredibilitetin për fushatën e tij,” thotë Brady Slater.

Tani sfida për ligjvënësin është që kjo zonë të vazhdojë të votojë për republikanët.

Zoti Stauber përdor përvojën e 23 vjetëve si polic.

"Kur punon si polic në patrullë, kur je duke marrë telefonata nga njerëz që kërkojnë ndihmë të kërkohet të krijosh besim si tek viktima, ashtu edhe tek i dyshuari. Këtë dua të bëj edhe në Kongres, krijoj marrëdhënie bashkëpunimi, besim, pasi të gjithë duam të arrijmë të njëjtën gjë”.

Përveç punës, Uashingtoni i ofron ligjvënësit edhe momente që i kujtojnë jetën në Minesota dhe vitet kur lunate për ekipin profesionist të hokejt Detroit Red Wings.

Ai ishte lojtari më i mirë në një lojë miqësore të organizuar për bamirësi nga ligjvënësit. Ai u ndëshkua pasi pengoi me shkop një lojtar tjetër.

Arbitrat thanë se megjithë ndëshkimin, ishte një prezantim shumë i mirë për dikë që ka luajtur hokej për 30 vjetët e para të jetës.

Ligjvënësi Stauber thotë se vitet mbi pistën e akullit e kanë bërë më të aftë për punën në Kongres. "Bashkëpunimi në ekip, puna me ngulm, me disiplinë, përpjekjet në maksimum, sjellja dinjitoze edhe pas loje, janë po aq të rëndësishme sa rezultati që jep gjatë lojës”. Në pjesët në vazhdim do të mësojmë se si ligjvënësi Stauber përpiqet që përparësitë e tij t’i kthejë në nisma legjislative në Kongres./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...