Trump "aspak" i shqetësuar nga thirrjet për votëbesim kundër tij

Amerika

Trump "aspak" i shqetësuar nga thirrjet për votëbesim kundër tij

Më: 23 shtator 2019 Në ora: 23:41
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i minimizoi thirrjet për votëbesim kundër tij, në lidhje me akuzat se ai i ka kërkuar homologut ukrainas të hetojë një rival politik.

I pyetur se sa seriozisht i merr kërcënimet për votëbesim nga Kongresi, Trump u tha gazetarëve në Nju Jork: "Aspak seriozisht".

Mediat amerikane kanë raportuar se një informator i komunitetit të inteligjencës amerikane ka paraqitur një ankesë në muajin gusht, pasi është alarmuar nga përpjekja e supozuar e Trumpit për t'i bërë presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, në një bisedë telefonike.

Të dielën, Trump konfirmoi se ai e ka ngritur temën e ish-nënpresidentit të SHBA-së, Joe Biden, dhe të djalit të tij në një bisedë telefonike me Zelenskiyn, më 25 korrik.

Trump tha se i ka thënë Zelenskiyt se "ne nuk duam që njerëzit tanë, si nënpresidenti [Joe] Biden dhe djali i tij, të kontribuojnë në korrupsionin që tashmë po bëhet në Ukrainë".

Ai e mohoi se i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar Bidenin, i cili është një nga kandidatët kryesorë demokratë që mund të sfidojë Trumpin, republikan, në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e ardhshëm.

Pranimi i telefonatës nga ana e Trumpit i shtoi thirrjet e demokratëve për të nisur procedurat e votëbesimit në Kongres.

Skandali shpërtheu para një takimi të planifikuar midis Trumpit dhe Zelenskiyt në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, këtë javë, në Nju Jork.

Oleksandr Danylyuk, zyrtar i lartë në administratën e presidentit ukrainas, i tha agjencisë Reuters të hënën se qëllimi kryesor i Kievit është të ketë marrëdhënie mbështetëse dhe besimi me Shtetet e Bashkuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat