Hetimet në Kongres lidhur me bisedën e Trump me homologun ukrainas

Amerika

Hetimet në Kongres lidhur me bisedën e Trump me homologun ukrainas

Më: 27 shtator 2019 Në ora: 22:22
Joseph Maguire

Drejtori në detyrë i Zbulimit Kombëtar, Joseph Maguire u tha ligjvënësve amerikanë të enjten se ai veproi në mënyrë të ligjshme kur fillimisht bllokoi publikimin e një raporti të një informatori tani në qendër të një hetimi për fillimin e procedurave të shkarkimit të presidentit. Dëshmia e zotit Maguire erdhi ndërsa teksti i ankesës së informatorit që përshkruan shqetësimet se presidenti Trump kërkoi ndihmën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në një bisedë telefonike për të hetuar një rival politik u bë publik. Por cilët janë hapat e ardhshëm për hetimet në Kongres.

Pyetje të reja për presidentin Trump, ndërsa publiku amerikan pati rastin të shohë ankesën e informatorit, ku përshkruhen një numër shqetësimesh për telefonatën e presidentit Trump me zotin Zelensky, përfshirë akuzat se zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë mbuluan detajet.

"Në ankesë thuhet se Shtëpia e Bardhë u përpoq të bllokojë të gjitha regjistrimet e thirrjes, veçanërisht zbardhjen fjalë për fjalë. Kjo i dha arsyen informatorit të besojë se ata, Shtëpia e Bardhë, e kanë kuptuar sa problematike ishte ajo thirrje", tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kishin kërcënuar ta çonin në gjykatë zyrtarin më të lartë të izbulimit në vend për të marrë ankesën e informatorit.

"Me ligj, ankesa e informatorit, e cila nxorri në dritë këtë shkelje, duhej të ishte paraqitur para këtij komisioni javë më parë nga ju, zoti Drejtor, dhe kjo nuk ndodhi", tha kreu i Komisionit të Zbulimit Adam Schiff.

Maguire tha se kishte respektuar të drejtat ligjore të presidencës në një situatë të pashembullt.

"Ne u këshilluam se shumica e informacionit në ankesë, në të vërtetë, mbrohej nga privilegij ekzekutiv. Një privilegj që unë nuk kam autorizimin ta anashkalojë. Për këtë arsye, ne nuk ishim në gjendje të ndanim menjëherë detajet."

Zoti Maguire pranoi se informatori ishte i besueshëm dhe veproi siç duhet, por nuk pranoi të adresojë shqetësimet e veprimeve të presidentit.

"A bisedove me presidentin rreth kësaj ankese?"

"Bisedat e mia me Presidentin, janë konfidenciale pasi jam drejtor i Zbulimit Kombëtar. Dhe do të ishte e papërshtatshme për mua, pasi do të shkatërronte marrëdhënien time me Presidentin dhe çështjet e zbulimit, të bëj të ditura bisedat e mia me presidentin e Shteteve të Bashkuara", tha zoti Maguire.

Presidenti Trump e hodhi poshtë ankesën si një lëvizje politike.

"Demokratët do të humbasin zgjedhjet dhe e dinë këtë. Kjo është arsyeja e kësaj lëvizjeje".

Një pikëpamje që mbështetet nga republikanët në Kongres.

"Çfarë ka këtu për t’u fajësuar? Presidenti i Shteteve të Bashkuara pati një bisedë me udhëheqësin e një vendi tjetër. Asnjëherë më pare një presidenti nuk i është dashur të bëjë publike bisedat e tij", tha Kevin McCarthy, udhëheqës i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve.

Por ankesa ishte e mjaftueshme për t’i shtyrë demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve të fillojnë hetimin për procedurat e shkarkimit.

"Ky informator na ka dhënë një udhërrëfyes për hetimin tonë", tha ligjvënësi Adam Schiff.

Hetime që mund të çojnë në një votim në Dhomën e Përfaqësuesve për shkarkimin e presidentit.

"Ka disa në partinë tonë që mendojnë le të fillojmë procesin e shkarkimit. Jo, ne duhet të hetojmë fillimisht për të siguruar faktet. Nuk ka pse të nxitohemi për gjykim kur në një farë mënyre ne jemi juria", tha kryetarja Nancy Pelosi.

Shumë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve thonë se duan që votimi të kryhet deri në fund të këtij viti, përpara se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 të fillojnë plotësisht shkurtin e ardhshëm./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat