Pelosi: Opinioni publik po i përkrah hetimet kundër presidentit Trump

Amerika

Pelosi: Opinioni publik po i përkrah hetimet kundër presidentit Trump

Më: 29 shtator 2019 Në ora: 15:36
Nancy Pelosi

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Nancy Pelosi, ka thënë se opinioni publik tashmë është në anën e zhvillimit të hetimeve ndaj presidentit Donald Trump. Deklarata e saj erdhi pas publikimit të të dhënave të reja për bisedat e kreut të Shtëpisë së Bardhë me homologun e tij ukrainas.

Pelosi këtë javë doli në përkrahje të hetimeve pas dyshimeve se presidenti amerikan kishte kërkuar favor politik nga kryetari i Ukrainës për ta ndihmuar atë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Kryetarja e njërit prej institucioneve më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara edhe më parë kishte bërë thirrje për zhvillim të hetimeve kundër presidentit, por ato u shtuan pas publikimi të raportit të hetuesit special, Robert Mueller, lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

“Qëndrimi i publikut ka ndryshuar plotësisht. Mund të ndërrojë edhe tani, kushedi, por tash për tash populli amerikan po e marrin një vendim tjetër”, tha Pelosi gjatë një tubimi me gazetarë, të organizuar nga faqja e lajmeve “Texas Tribune”.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara do t’i tërhiqte ndihmat ushtarake, të siguruara nga taksapaguesit, për ta shkatërruar liderin e një shteti tjetër, nëse ai nuk ia bën një favor politik, kështu është kjo punë, shumë e qartë”, shtoi ajo.

Gjatë një bisede telefonike, të realizuar më 25 korrik, presidenti amerikan dëgjohet duke kërkuar nga homologu i tij ukrainas që organet e shtetit të tij të nisin hetime kundër kundërshtarit politik, Joe Biden, dhe djalit të tij, Hunter Biden, i cili më parë ka qenë pjesë e bordit të një kompanie të energjisë në Ukrainë, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat