Meksikanët protestojnë për legalizimin e abortit

Amerika

Meksikanët protestojnë për legalizimin e abortit

Më: 29 shtator 2019 Në ora: 15:58
Foto

Mijëra banorë të Meksikës, kryesisht vajza dhe gra, kanë dalë në rrugët e qyteteve më të mëdha të Meksikës për të kërkuar legalizim të abortit. Shumë prej protestuesve ishin të veshur me rroba të gjelbra, të cilat janë bërë simbol i lëvizjes për të drejtën e abortit në mbarë Amerikën Latine.

Protestat që u mbajtën në Ditën Ndërkombëtare të Abortit të Sigurt erdhën pasi rajoni meksikan i Oaksaka-s e miratoi javën e kaluar projektligjin për legalizimin e abortit. Ky ishte vetëm rajoni i dytë pas kryeqytetit që e lejoi kryerjen e kësaj procedure mjekësore.

Presidenti i Meksikës, ndres Manuel Lopez Obrador, e ka dërguar më parë një propozim në kuvend, me të cilin do të amnistoheshin gratë e burgosura për atë që cilësohet krim në pjesën më të madhe të vendit.

Kuvendi i Meksikës mbizotërohet nga deputetët e partisë së tij, ndonëse edhe deputetët e partive të tjera kanë dhënë shenja se do ta përkrahin projektligjin e propozuar nga presidenti.

Kryeqyteti i Meksikës me rrethinë e legalizoi abortin në vitin 2007, por shumica e popullsisë së shtetit ka pikëpamje konservatore lidhur me këtë çështje dhe presidenti deri më tash ka ngurruar të marrë ndonjë qëndrim të qartë për apo kundër abortit, shkruan “Independent”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat