Beteja për shkarkimin e presidentit thellon ndasitë politike në Amerikë - Bota Sot
Beteja për shkarkimin e presidentit thellon ndasitë politike në Amerikë

Amerika

Beteja për shkarkimin e presidentit thellon ndasitë politike në Amerikë

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 22:56
Donald Trump

Uashingtoni është pushtuar nga emocionet dhe tensionet, ndërsa hetimi për procedurën e shkarkimit që ka në shënjestër presidentin Donald Trump, intensifikohet.

Dhe shumë ekspertë politikë besojnë se kjo betejë e fundit lidhur me presidencën Trump do t’i thellojë ndasitë politike brenda vendit, pikërisht në kohën kur fushata presidenciale për vitin 2020 nxehet.

Reagim agresiv

Ditët e fundit, Presienti Trump ka mbajtur një qëndrim luftarak ndërsa shtohen gjasat për procedurën e shkarkimit. Të enjten, para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë ai u bëri thirrje hapur Ukrainës dhe Kinës që të fillojnë të hetojnë kandidatin demokrat për President, Joe Biden dhe të birin e tij, Hunter.

Po atë ditë, ai shkruante në Twitter: “Si President i Shteteve të Bashkuara, unë kam të drejtën absolute, madje ndoshta edhe detyrën për të hetuar ose që të kem hetuar KORRUPSIONIN dhe kjo përfshin kërkesën ose sugjerimin ndaj vendeve të tjera për të na ndihmuar!”

Në qendër të hetimit për procedurën e shkarkimit që demokratët po e nxisin, është një telefonatë e 25 korrikut mes zotit Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Në një variant të përmbledhur të bisedës, që u bë publike nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Trump i kërkonn zotit Zelenskiy të hetojë zotin Biden dhe të birin e tij, megjithëse as zoti Trump as aleatët e tij kanë dhënë prova publike për ndonjë shkelje.

Ndërsa gjithnjë e më shumë detaje dalin për telefonatën, toni i zotit Trump është bërë gjithnjë e më agresiv.

“Njerëzit pyesin ‘si e përballon dot një gjë të tillë?’ u tha ai gazetarëve të mërkurën. Sepse është e gjitha një mashtrim dhe sepse e di që kam të drejtë dhe sepse po bëj një punë të shkëlqyer për popullin amerikan, jam shumë i lumtur me mënyrën se si jetoj.”

Zoti Trump ka intensifikuar gjithashtu sulmet ndaj medias. “Pjesa më e madhe e tyre, janë të korruptuar. Keni media të korruptuar në këtë vend dhe me të vërtetë është armik i popullit”.

Presion nga demokratët

Demokratët në Kongres, vazhdojnë të përqendrohen tek telefonata e zotit Trump me udhëheqësin e Ukrainës dhe thirrja e tij për ndihmë për të gjetur informacione të dëmshme për rivalin demokrat, Joe Biden. Për muaj me radhë, zoti Biden del me epërsi ndaj zotit Trump në sondazhe.

Demokrati Adam Schiff, kreu i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, është bërë fytyra e hetimit për procedurën e shkarkimit dhe u tha gazetarëve të mërkurën se demokratët ishin të vendosur të lëviznin me shpejtësi.

“Është vështirë të imagjinosh një sjellje më të korruptuar se sa përpjekjet për t’i bërë shantazh një udhëheqësi të huaj që varet krejtësisht nga vendi ynë për mbështetje ushtarake, ekonomike, diplomatike dhe më tej”, tha ai.

Zoti Trump ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje dhe e ka cilësuar telefonatën “të përkryer”.

Por eksperti ligjor Paul Schiff Berman i Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit George Washington tha se akuzat janë serioze.

“I gjithë synimi dhe përbërja e telefonatës, në formën që është bërë publike nga Shtëpia e Bardhë është për të avancuar përpjekjet personale dhe politike të Presidentit Trump për të dëmtuar kundërshtarin e tij politik dhe është një abuzim me pushtetin dhe autoritetin që kapërcen çdo gjë që kemi pare deri sot”, i tha ai Zërit të Amerikës.

A është një shkelje që e justifikon procedurën e shkarkimit?

Eksperti i Universitetit Vanderbilt, Thomas Schwarz tha se ligkvënësve do të duhet të përballen me pyetjen nëse sjellja e zotit Trump është aq serioze saqë të justifikojë shkarkimin.

“Mendoj se pyetja e vërtetë do të jetë nëse ngrihet në nivelin e një shkeljeje që justifikon shkarkimin. Do të ishte e vlefshme që ata të mund të gjenin një prirje të përsëritur për këtë lloj sjelljeje në ndërveprime të tjera me udhëheqës të huaj”.

Edhe nëse demokratët e çojnë procesin deri në fund në Dhomën e Përfaqësuesve, shanset janë shumë të vogla që shkarkimi të miratohet në Senatin e kontrolluar nga republikanët. Në një gjyq për shkarkim në Senat, duhet që 67 nga 100 senatorët duhet ta gjejnë presidentin fajtor, në mënyrë që ta shkarkojnë.

Ngjarje që ka shkaktuar polarizim

Beteja e procedurës së shkarkimit ka ngjallur reagime të forta si mes mbështetësve, ashtu edhe kundërshtarëve të tij.

Megjithëse sondazhet tregojnë se mbështetja për procedurën e shkarkimit po rritet, shumë prej tyre tregojnë gjithashtu se baza e zotit Trump e mbështet atë edhe më shumë se më parë.

Analisti me përvojë William Galston i Institutit Brookings thotë se sa më shumë zgjat hetimi, aq më e brishtë do të bëhet situata politike në vend.

“Polarizimi po rritet dhe po thellohet njëkohësisht dhe nuk ka diskutim që na presim muaj konflikt lidhur me këtë çështje. Druhem se do të hedhë benzinë në një zjarr që është që tani i tërbuar”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Hetimi po mbizotëron edhe në garën presidenciale brenda partisë demokrate. Në një takim fushate në Nevada, Joe Biden dhe një mesazh të drejtpërdrejtë për presidentin.

“Nuk do të më shkatërrosh mua dhe nuk do të shkatërrosh familjen time”.

Rezultati i përpjekjes për shkarkim do të ketë një ndikim të madh mbi fushatën e vitit 2020.

“Pesë deri tetë javët e fundit kanë gjasa të jenë më vendimtare lidhur me fushatën presidenciale të vitit 2020 sesa tre vitet e fundit”, thotë analisti John Hudak i Institutit Brookings.

Presidenti Trump është mësuar me beteja politike dhe ajo që po afrohet për procedurën e shkarkimit, mund të jetë momenti vendimtar për presidencën e tij.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...