Presidenti Trump dënon ofensivën turke

Amerika

Presidenti Trump dënon ofensivën turke

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 19:32
Presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti amerikan u bashkua me zërat që dënuan inkursionin e Turqisë në vendin fqinj, por këmbënguli se Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë jashtë atij që ai e quajti një konflikt shekullor midis Turqisë dhe kurdëve.

Ofensiva e Turqisë pritej, pasi Presidenti Erdogan vazhdimisht u zotua të zbraps forcat kurde të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara larg kufirit.

Presidenti Trump paralajmëroi Ankaranë të mërkurën se ai do të shkatërrojë ekonominë e Turqisë nëse forcat e saj dëmtojnë civilët dhe pakicat fetare në Siri, por këmbënguli se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të përfshihen në konfliktin e kahershëm turko-kurd.

"Ata kanë luftuar njëri-tjetrin për shekuj. Kjo ka vazhduar për qindra vjet. Ne u përfshijmë në këtë betejë – Supozohej të ishte një periudhë 30 ditore dhe kemi përfunduar aty për shumë, shumë vite".

Ndërkohë, njoftimet nga Siria veriore thonë se sulmet turke të hënën në mëngjes shkaktuan disa vdekje të civilëve, përfshi një çift të krishterësh dhe fëmijë.

Mustafa Bali, zëdhënës i Forcave Demokratike Siriane, i tha Shërbimit Kurd të Zërit të Amerikës se kurdët do të luftojnë edhe pa mbështetjen e Amerikës.

"Ne nuk jemi të pashpresë. Nuk jemi të dëshpëruar. Ne ishim në gjendje t’i bashkoheshim koalicionit ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik vetëm me disa kallashnikovë. Sigurisht me 100,000 luftëtarë me një përvojë të gjatë dhe fitore në luftën kundër terrorizmit, ne mund të gjejmë partnerë të rinj. Por pas pesë vitesh partneritet me forcat amerikane me dinjitet, qartësi dhe miqësi, është vërtet e vështirë për ne që të pranojmë një fund kaq të papritur dhe të padenjë për këtë aleancë".

Bashkimi Evropian, NATO, udhëheqësit arabë dhe grupet e të drejtave të njeriut e kanë dënuar ofensivën e Turqisë dhe po paralajmërojnë Ankaranë kundër përkeqësimit të krizës humanitare në Siri. Turqia është strehë e rreth 4 milion refugjatëve sirianë dhe Erdogani thotë se ka ardhur koha që ata të fillojnë të kthehen në vendin e tyre. Shërbimi turk i Zërit të Amerikës vizitoi refugjatët sirianë në Stamboll.

"Arabët u dëbuan prej andej. Grupe të ndryshme kurde u sollën dhe u vendosën në ato vende. Kjo është arsyeja përse ne po mbështesim operacionin e ushtrisë turke. Ne patjetër do të kthehemi në Siri kur të jetë e sigurtë", thotë refugjati Huseyin Hassun.

"Do të jem i pari që do të kthehem. Nuk dua të rrij këtu asnjë ditë më shumë. Kam miq dhe shumë prej nesh duam të kthehemi menjëherë. Jemi të lodhur nga qëndrimi këtu", thotë Hamid Nassar.

"Shpresojmë që ky operacion do të rezultojë në fitore. Kur të vendoset siguria, duam të shkojmë në vendin tonë", thotë Mustafa Kirmizi. Pas tetë vjetësh dhune dhe trazirash, siguria nuk është e garantuar në asnjë pjesë të Sirisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat