SHBA, mbyllen dy ura në kufi me Meksikën - Bota Sot
SHBA, mbyllen dy ura në kufi me Meksikën

Amerika

SHBA, mbyllen dy ura në kufi me Meksikën

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 22:07
Mbyllen dy ura në kufi me Meksikën

Autoritetet kufitare amerikane mbyllën dy ura mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës të enjten herët në mëngjes, pas protestës së rreth 300 emigrantëve, kryesisht nga Amerika Qendrore.

Protesta u zhvillua në qytetin meksikan Matamoros që ndodhet pranë qytetit Brownsville të Teksasit.

"Trafiku në dy urat ndërkombëtar,e atë Gateway dhe B&M u ndal përkohësisht rreth orës 01:30 pasi një grup prej rreth 250 deri 300 emigrantësh pa dokumente, ishin grumbulluar në mes të urës Gateway", i tha një zyrtar amerikan i agjencisë së Mbrojtjes së Doganave dhe Kufirit, Zërit të Amerikës.

Trafiku në urën B&M rifilloi pas rreth dy orësh ndërsa ura Gateway qëndroi e mbyllur në të dy drejtimet për më shumë se shtatë orë, tha i njëjti zyrtar.

Sipas medias meksikane protestuesit ishin kryesisht nga Hondurasi. Ata ishin përpjekur të hynin në territorin amerikan si një grup i vetëm gjatë natës. Sipas njoftimit të dhënë nga një radio me qendër në Mexico City, “MVS Noticias”, protestuesit kërkonin përpunimin e menjëhershëm të kërkesave të tyre për azil në Shtetet e Bashkuara.

Në fotografitë e postuara nga gazetarët meksikanë në mediat sociale duken burra e gra tek qëndrojnë mbi urë.

Brownsville është një nga portet hyrëse ku është ndërtuar dhe një gjykatë e përkohshme për të përpunuar dokumentet e atyre personave të kthyer në Meksikë nën atë që njihet si Protokolli i Mbrojtjes së Emigrantëve. Ky i fundit i detyron azilkërkuesit të qëndrojnë në Meksikë derisa të nisë çështja e tyre.

Ndërkohë sipas një zyrtari të agjencisë së Mbrojtjes së Doganave dhe Kufirit, seancat gjyqësore në Brownsville të planifikuara për të enjten në mëngjes u "shtynë për një datë të mëvonshme".

Zëri i Amerikës ka kërkuan informacion nga Departamenti i Drejtësisë se për kur janë planifikuar seancat e emigracionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...