Trump: Bisedimet tregtare me Kinën po shkojnë mirë

Amerika

Trump: Bisedimet tregtare me Kinën po shkojnë mirë

Më: 11 tetor 2019 Në ora: 09:30
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se bisedimet për tregtinë me Kinën "janë duke shkuar shumë mirë".

Zyrtarët amerikanë dhe kinezë mbaruan në Uashington edhe një rreth negociatash, në përpjekje për t'iu dhënë fund tarifave të shtrenjta midis dy ekonomive.

"Mendoj se po shkojnë vërtet mirë. Kemi pasur negociata shumë, shumë të mira me Kinën", u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, por pa dhënë më shumë detaje.

Trump edhe më herët ka folur për përparim në negociata, por, në të njëjtën kohë, ka kërcënuar me tarifa të reja kundër Pekinit, për shkak të praktikave të tij tregtare.

Mosmarrëveshjet, tash e 15 muaj, që përfshijnë miliarda dollarë tarifa të dyanshme, kanë shkaktuar frikë për ngadalësim të ekonomisë globale.

Uashingtoni e akuzon Kinën për politika të padrejta tregtare dhe vjedhje të teknologjisë dhe pronës intelektuale.

Kina ka paraqitur disa ankesa në Organizatën Botërore të Tregtisë, e cila i kufizon tarifat që secili vend lejohet t'i vendosë.

Lufta tregtare mes dy vendeve i ka lëkundur vazhdimisht tregjet botërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat