SHBA përshëndet FIFA-n për ndëshkimin e një zyrtari afgan

Amerika

SHBA përshëndet FIFA-n për ndëshkimin e një zyrtari afgan

Më: 12 tetor 2019 Në ora: 22:14
FIFA

Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur FIFA-n, organi drejtues botëror i futbollit, për ndëshkimin me një ndalim pesë-vjeçar për një ish zyrtar të lartë të Federatës Afgane të Futbollit (FAF) i cili dështoi të vepronte lidhur me akuzat për abuzime seksuale të sjella nga lojtaret femra në vend.

"Të mbijetuarit e abuzimit seksual meritojnë drejtësi dhe ne u kërkojmë autoriteteve afgane të sigurojnë që zyrtarët e akuzuar të mbajnë përgjegjësi," tha Alice Wells, ndihmës Sekretare amerikane për Azinë jugore dhe qëndrore, në Tweeter.

FIFA njoftoi një ditë më parë hetimin e saj për ankesat e paraqitura nga disa futbolliste afganë, dhe ka gjetur se Sayed Aghazada, ish sekretari i përgjithshëm i FAF-së, është fajtor për shkeljen e kodit etik të organizatës botërore.

Ankueset akuzuan ish-presidentin e FAF-së, Keramuudin Karim, për abuzim seksual të "përsëritur" ndërmjet viteve 2013 dhe 2018 kur Aghazada ishte sekretari i përgjithshëm. Lojtaret dolën në publik me akuzat vitin e kaluar, duke bërë që FIFA të hetojë dhe përjashtojë përgjithmonë Keramuudin Karim nga federate duke filluar nga qershori. FIFA vendosi gjithashtu një dënim prej 1 milion dollarësh për ish presidentin e FAF-së.

FIFA tha të premten se Aghazada ishte në dijeni të abuzimit dhe kishte për detyrë ta raportonte dhe ta parandalonte atë. Si pasojë, ai është ndaluar nga të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me futbollin, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për pesë vjet. Një dënim financiar prej rreth 10,000 dollarë u vendos gjithashtu edhe ndaj tij.

Aghazada po shërbente gjithashtu si anëtar i komitetit të përhershëm të FIFA-s si dhe në komisionin ekzekutiv të Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC).

FIFA tha se "ende po shqyrton pretendimet që janë bërë kundër individëve të tjerë në lidhje me të njëjtin hetim dhe pozicionet e tyre si zyrtarë të futbollit."/VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat