Ish-këshilltari i Pompeos dëshmon në rastin kundër Trumpit

Amerika

Ish-këshilltari i Pompeos dëshmon në rastin kundër Trumpit

Më: 16 tetor 2019 Në ora: 14:07
Michael McKinley

Michael McKinley, ish-këshilltar i sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, do të dëshmojë të mërkurën para Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, në kuadër të hetimeve që po bëjnë demokratët për shkarkimin e presidentit Donald Trump.

Hetimet lidhen me një bisedë telefonike që Trump ka zhvilluar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, më 25 korrik.

Gjatë kësaj bisede, Trump i ka kërkuar Zelenskiyt të punojë me avokatin e tij personal, Rudy Giuliani, dhe prokurorin e përgjithshëm të SHBA-së, William Barr, dhe së bashku të hetojnë rivalin politik të Trumpit, Joe Biden, dhe djalin e tij, Hunter, për korrupsion të dyshuar.

McKinley pritet të merret në pyetje prapa dyerve të mbyllura, në lidhje me vendimin e Pompeos për tërheqjen e ambasadores amerikane nga Ukraina, Marie Yovanovich, në maj të këtij viti.

Një ditë më parë, George Kent, diplomat amerikan, i cili ka luftuar korrupsionin në Ukrainë dhe gjetkë, tha se ka ngritur shqetësime për përpjekjet e Giulianit për ta nxitur Ukrainën që të hetojë Joe dhe Hunter Biden.

Kent tha se është anashkaluar nga Shtëpia e Bardhë sa i përket politikës në Ukrainë.

Më 17 tetor, edhe Gordon Sondland, i dërguar i SHBA-së në Bashkimin Evropian, do të dëshmojë para paneleve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga demokratët, ka nisur procedurat për shkarkimin e Trumpit më 24 shtator.

Udhëheqësja e Dhomës, Nancy Pelosi, e ka akuzuar Trumpin për "tradhti ndaj betimit të presidentit dhe ndaj sigurisë kombëtare".

Trump i ka cilësuar hetimet kundër tij si "mashtrim" dhe "gjueti shtrigash".

Biden shihet si rival i mundshëm i Trumpit në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen vitin e ardhshëm në SHBA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat