Prindërit e viktimës 19-vjeçare të shokuar nga takimi me Trumpin

Amerika

Prindërit e viktimës 19-vjeçare të shokuar nga takimi me Trumpin

Më: 17 tetor 2019 Në ora: 18:49
Prindërit e viktimës 19-vjeçare

Prindërit britanikë që po mbajnë zi për humbjen e fëmijës së tyre gjatë një aksidenti me makinë, thonë se u ndjenë të zënë në grackë kur Presidenti amerikan Donald Trump u përpoq t’i bindte të takonin gruan amerikane që shkaktoi aksidentin fatal. Shtëpia e Bardhë mohoi të ketë patur ndonjë acarim gjatë takimit dhe Presidenti Trump tha se Kryeministri britanik Boris Johnson i pati sugjeruar një takim të tillë.

Një zëdhënës për familjen thotë se u shokua që Presidenti Trump ia ofroi familjes mundësinë e takimit me personin përgjegjës për vdekjen e djalit të tyre 19-vjeçar.

“Për të thënë të drejtën, Presidenti Trump u tregua shumë i ngrohtë, i sjellshëm. Ofroi ngushëllimet e tij dhe krijoi një marrëdhënie të mirë me grupin tonë. Por, pasi u ulëm, diçka nuk shkonte dhe gjendja ndryshoi. Nuk më kujtohen fjalët ekzakte, por na tha se ‘e kam zonjën këtu dhe dëshiron t’ju takojë’. Ne u shokuam të gjithë. Ajri ndryshoi befas dhe u bë ogurzi”, thotë Radd Seiger, zëdhënës i familjes Dunn.

Shtëpia e Bardhë mohoi të ketë patur ndonjë tension gjatë takimit.

Presidenti Trump tha se Kryeministri britanik Boris Johnson pati sugjeruar që Shtëpia e Bardhë të organizonte një takim të këtillë.

“Ajo gjendej në dhomën tjetër, ndërsa ne takoheshim këtu. Unë ofrova të sillja personin për të cilën flitet dhe ata nuk ishin gati për një gjë të tillë. Por, unë ua ofrova. Fola me Borisin (Kryeministrin britanik Boris Johnson). Ai ma kërkoi dhe unë e bëra. Ata donin të takoheshin, por kur u mblodhën të gjithë, fatkeqësisht vendosën të mos takoheshin. Ndoshta ishin përfshirë ndërkohë avokatët. Nuk e di saktësisht”, u tha gazetarëve Presidenti Trump.

Prindërit Dunn erdhën në Shtetet e Bashkuara për t’i bërë thirrje administratës Trump që të heqë imunitetin për gruan përgjegjëse për goditjen dhe vrasjen e 19-vjeçarit Harry Dunn, ndërsa ai udhëtonte me një motoçikletë në Anglinë jugore në muajin gusht.

Anne Sacoolas, bashkëshortja e një diplomati amerikan, pranoi se po i jepte makinës në krahun e gabuar të rrugës.

Pas aksidentit, zonja Sacoolas u largua drejt Shteteve të Bashkuara pasi ambasada amerikane në Londër refuzoi të heqë imunitetin e saj diplomatik në mënyrë që të përballej me akuza penale. Një përfaqësues i saj ka qarkulluar një deklaratë ku ajo shprehet se është “e rrënuar nga ky aksident tragjik dhe i transmeton keqardhjen më të thellë familjes së Harry Dunn-it”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat