Dy vjetori i lëvizjes #MeToo

Amerika

Dy vjetori i lëvizjes #MeToo

Më: 19 tetor 2019 Në ora: 20:53
Lëvizja #MeToo

Anketat tregojnë se një numër në rritje menaxherësh meshkuj ndjehen në siklet nëse punojnë nga afër me gra, që kur një numër zyrtarësh në poste të fuqishme u shkarkuan pas akuzave për sjellje të papërshtatshme me tone seksuale. Lëvizja #MeToo filloi dy vjet më parë pasi dolën akuza kundër producentit të njohur të Hollivudit, Harvey Weinstein. Që nga ajo kohë kanë dalë plot akuza të tjera. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Dora Mekouar analizon reagimin dhe kundërpërgjigjen që pasoi lëvizjen #MeToo:

Që kur filloi lëvizja #MeToo, 41% e burrave thonë se nuk janë të gatshëm të takohen kokë-më-kokë me kolege femra.

Më shumë se një në pesë burra thonë se preferojnë të mos përfshijnë gra në kontaktet sociale, si për shembull kur dalin për një pije pas pune.

Këto rezultate dolën nga një anketë e 2018. Konsulentja Davia Temin nuk çuditet me shifrat. Ajo drejton një firmë për menaxhimin e krizave dhe ndjek një indeks mbi akuzat për ngacmime apo abuzime seksuale ndaj personave të fuqishëm.

“Mendoj se ka pasur një kundërpërgjigje ndaj lëvizjes #MeToo. Nuk e shoh si diçka serioze, apo që do të zgjasëpër shumë kohë. Lëvizja #MeToo nuk ka për t’u zhdukur. Por akuzat pa dyshim janë shumë të pakëndshme; ndryshimi tradicionalisht nuk pëlqehet. Tani burrave po u mohohet një e drejtë që e gëzonin që nga koha e njeriut të shpellave. Tani po nxjerrin në shesh këto akte dhe po i luftojnë”, thotë Davia Temin, e firmës “Temin & Company”.

Profesorja e Universitetit Kolumbia Olatunde Johnson thotë se kjo lëvizje është një forcë e madhe për ndryshim.

“Mendoj se një ndër efektet më të rëndësishme është fakti që tërhoqi vëmendje tek problemi i ngacmimeve seksuale apo sulmeve seksuale si dhe u ofroi grave një mënyrë për të treguar bashkarisht historitë e tyre. Shpesh njerëzit nuk u besojnë personave që flasin të izoluar, por kur dëgjojmë histori njëra pas tjetrës fillojmë të kuptojmë probleme të sistemit që kërkojnë përgjigje”, thotë ajo.

Sipas Qendrës Ligjore për Gruan, që nga tetori 2017 kur lëvizja #MeToo doli në qendër të ndërgjegjes publike, 15 shtete amerikane kanë miratuar ligje të reja që synojnë të mbrojnë punonjësit nga ngacmimet seksuale dhe disktriminimi gjinor.

Profesorja Johnson dhe zonja Temin morën pjesë kohët e fundit në një diskutim në Universitetin Columbia. Pjesë e diskutimit ishte edhe publicistja Shelley Oria, e cila ka përgatitur një përmbledhje të shkrimeve lidhur me lëvizjen #MeToo:

“Interneti është një platformë shumë e fuqishme. Por gjithsesi në natyrën e vet interneti ka një forcë thjesht përgatitore. Na përgatit për veprim, por jo kollaj për botën fizike, për ndryshime reale. Që të arrijmë ndryshime në ligje, në kulturën e punës, në pagën e grave duhet që ndryshimet të ndodhin në botën fizike. Mendoj se literatura ndihmon në këtë drejtim, pasi ky vëllim ekziston në botën fizike”, thotë zonja Oria, redaktore e përmbledhjes “E pashlyeshme në kujtesë”.

Juristi në pension, Robert Oumette ndoqi diskutimin dhe thotë se kjo lëvizje e ka ndihmuar të kuptojë përse disa gra e kishin të vështirë të bënin karrierë në drejtësi:

“Mendoj se është diçka pozitive që njerëzit të mendohen se si sillen kur janë vetëm me dikë dhe si sillen kur janë në grup. Të mendohen për rrethanat që krijohen kur janë vetëm me një person tjetër. Disa nga këto që dëgjoj me shtangin, si për shembull kur gratë tregojnë se si ftoheshin që të vizitonin eprorët në dhoma hotelesh”, thotë ai.

Është ende herët të analizojmë efektin afatgjatë të lëvizjes #MeToo. Zonja Temin thotë se kjo lëvizje i ngjet Kutisë së Pandorës: tani që u hap nuk ka gjë që e mbyll./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat