Mulvaney rithekson - fondet për Ukrainën nuk ishin të lidhura me hetimet politike

Amerika

Mulvaney rithekson - fondet për Ukrainën nuk ishin të lidhura me hetimet politike

Më: 21 tetor 2019 Në ora: 07:10
Mick Mulvaney

Shefi në detyrë i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney mbrojti pretendimin e tij se Presidenti Donald Trump nuk pezulloi gati 400 milion dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, me qëllim që Kievi të ndërmerrte hetime për rivalët demokratë dhe zgjedhjet e vitit 2016.

Mulvaney u tha gazetarëve javën e kaluar se nuk kishte një kërkesë detyruese nga Trump, por disa orë më vonë e tërhoqi deklaratën dhe vazhdoi të avancojë versionin e tij të rishikuar të diskutimeve të politikave të Shtëpisë së Bardhë në një intervistë në emisionin "Fox News Sunday".

"Kishte dy arsye që ne e pezulluam ndihmën," tha zoti Mulvaney. "E para ishte korrupsioni i shfrenuar në Ukrainë. Është kaq keq në Ukrainë sa që në vitin 2014 Kongresi miratoi një ligj ... duke na kërkuar që të sigurohemi që lufta kundër korrupsionit po lëvizte në drejtimin e duhur. Pra, korrupsioni është një çështje e madhe Të gjithë e dinë atë. "

Ai shtoi se, "Presidenti ishte gjithashtu i shqetësuar nëse vendet e tjera, konkretisht ato evropiane, do të ndihmonin me ndihmën e huaj për Ukrainën".

Mulvaney përmendi gjithashtu gjatë konferencës së tij për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të enjten e kaluar se presidenti Trump dëshironte të dinte nëse Ukraina kishte në pronësi një serveri kompjuterik të përdorur për hakerimin në Komitetin Kombëtar Demokrat në vitin 2016 që tregoi se mbështeti ish-sekretaren e shtetit të SHBA Hillary Clinton në fushatën e saj të pasuksesshme kundër zotit Trump për Shtëpinë e Bardhë. Vendndodhja e kompjuterit është pjesë e një teorie se Ukraina ishte përzierë në zgjedhjet e vitit 2016, dhe jo Rusia, siç arriti në përfundim komuniteti i inteligjencës amerikane.

Por zoti Mulvaney tha të dielën se përmendja e shqetësimeve të presidentit Trump për kompjuterin "nuk ishte e lidhur me ndihmën", megjithëse javën e kaluar kishte thënë: "Kjo është arsyeja pse ne i mbajtëm fondet".

"Ne e bëjmë këtë praktikë gjatë gjithë kohës me politikën e jashtme," ka thënë Mulvaney në Shtëpinë e Bardhë.

Të dielën, ai tha, "Unë kurrë nuk thashë se kishte një ‘quid pro quo’ sepse nuk ka".

Trump, ndërsa fillimisht bllokoi ndihmën për Ukrainën, përfundimisht lejoi lëvrimin e fondeve për Kievin.

"Ndihma u dha," tha Mulvaney të dielën. "Sapo u siguruam se ata po bënin më të mirën për të luftuar korrupsionin..." dhe ndihma e vendeve të tjera për Ukrainën ishte rritur, "paratë u dhanë". Gjatë konferencës për shtyp javën e kaluar, Mulvaney shtoi një kusht të tretë, nëse Ukraina po ndihmonte një hetim të Departamentit amerikanë të Drejtësisë për origjinën e hetimeve të zgjedhjeve të vitit 2016 që përfundimisht implikuan ndërhyrjen e Rusisë për të ndihmuar Trump të fitonte.

Biseda e Presidentit Trump me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy janë në qendër të hetimit të demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve për të shkarkuar presidentinTrump./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat