Trump nis procesin e largimit të ShBA-së nga Marrëveshja e Parisit - Bota Sot
Trump nis procesin e largimit të ShBA-së nga Marrëveshja e Parisit

Amerika

Trump nis procesin e largimit të ShBA-së nga Marrëveshja e Parisit

Më: 5 nëntor 2019 Në ora: 08:33
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka nisur hapat për ta larguar zyrtarisht vendin e tij nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, duke e bërë ShBA-në shtetin e vetëm në botë që nuk do të jetë pjesë e këtij pakti.

Letra e dërguar nga qeveria amerikane për tërheqje nga kjo marrëveshje paraqet nisje të një procesi njëvjeçar për largim nga pakti i rëndësishëm ndërkombëtar, të arritur në konferencën e Kombeve të Bashkuara për ndryshimin e klimës në Paris në vitin 2015.

Në anën tjetër, zyra e presidentit francez, Emmanuel Macron, njoftoi se kreu i shtetit do të nënshkruajë një pakt me homologun e tij kinez, Xi Jinping, për ndryshimet klimatike dhe efektin e pakthyeshëm të tyre.

Një zyrtar i presidentit Macron shprehu keqardhje për vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’u larguar nga Marrëveshja e Parisit, duke thënë: “Ne ndiejmë keqardhje për këtë dhe kjo vetëm sa e bën edhe më të nevojshëm bashkëpunimin franko-kinez për klimën dhe biodiversitetin”.

Lajmin për largimin e Shteteve të Bashkuara nga kjo marrëveshje e dha sekretari amerikan i shtetit, Mike Pomepo, i cili tha se ky pakt do të ishte një ngarkesë e padrejtë ekonomike ndaj punëtorëve, bizneseve dhe taksapaguesve amerikanë dhe se ShBA-ja tashmë e ka ulur sasinë e gazrave që e shkaktojnë ngrohjen globale.

Sipas Marrëveshjes së Parisit, Shtetet e Bashkuara zotoheshin se deri në vitin 2025 do ta ulnin ndotjen me gazra për të paktën 26 për qind në krahasim me nivelin e vitit 2005, shkruan “The Guardian”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat