SHBA/ Ja çfarë po ndodh me hetimin në Dhomën e Përfaqësuesve

Amerika

SHBA/ Ja çfarë po ndodh me hetimin në Dhomën e Përfaqësuesve

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 06:15
Marie Yovanovitch

Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit dëshmoi të mërkurën si pjesë e hetimit që ka në shënjestër Presidentin Donald Trump.

Dëshmia e tij mund të hedhë dritë mbi çështjen e shkarkimit të ambasadores së SHBA në Ukrainë, Marie Yovanovitch.

Zonja Yovanovitch, diplomate karriere, shihej nga disa ndihmës të zotit Trump si pengesë për të bindur Kievin që të hapte hetime për ta ndihmuar politikisht presidentin amerikan. Asaj iu kërkua papritmas të kthehej në atdhe në fillim të këtij viti dhe u shkarkua disa muaj përpara përfundimit të detyrës si ambasadore.

Zoti Trump, në një telefonatë në fund të korrikut me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, e quajti ambasadoren “një lajm i keq”, por zyrtarët e Departamentit të Shtetit i kishin thënë asaj se nuk kishte bërë asgjë të gabuar, madje para se të pushohej kishin kërkuar që ta zgjaste qëndrimin në detyrë edhe në vitin 2020.

Rudy Giuliani, ish kryetar i bashkisë së Nju Jorkut dhe avokat personal i Presidentit Trump që merrej me marrëdhëniet e SHBA me Ukrainën, kishte bërë presion për heqjen e zonjës Yovanovitch dhe që Ukraina të hetonte një nga sfiduesit kryesorë demokratë të zotit Trump për zgjedhjet e 2020-s, ish-nënpresidentin Joe Biden, punën e djalit të tij Hunter Biden për një kompani ukrainase të gazit natyror si dhe çdo lidhje të Ukrainës me zgjedhjet amerikane të 2016-s që u fituan nga zoti Trump.

John Hale, numri tre i Departamentit të Shtetit, mbërriti në të mëçrkurën në selinë e Kongresit për t’u intervistuar me dyer të mbyllura. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, ai pritej t’u thoshte hetuesve të Dhomës së Përfaqësuesve se prapa refuzimit të Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo për t’i bërë një mbrojtje të fuqishme ambasadores Yovanovitch qëndronin konsiderata politike.

Ndihmës të tjerë të Pompeos, përfshirë ish ndihmësin e tij të lartë, Michael McKinley, u kanë thënë hetuesve se ata i kërkuan atij ta mbronte zonjën Yovanovitch, por pa dobi.

Zoti Hale pritej t’u tregonte hetuesve se sekretari Pompeo vendosi që mbrojtja e zonjës Yovanovitch do të pengonte zhbllokimin e fondeve prej 391 milion dollarësh si ndihmë ushtarake amerikane për Ukrainën që dëshironte Kievi.

Zoti Trump e bllokoi përkohësisht ndihmën ndërsa kërkoi nga Presidenti ukrainas Zelenskiy “një favor”, që ai të hetonte zotin Biden dhe të birin e tij si dhe nëse Ukraina kishte ndërhyrë në zgjedhjet e 2016-s, e jo Rusia, siç arriti në përfundimin komuniteti i inteligjencës amerikane.

Ndërkohë, tre zyrtarë të tjerë të administratës Trump – Sekretari i Energjisë Rick Perry, shefi në detyrë i buxhetit të Shtëpisë së Bardhë Russell Vought dhe një ndihmës tjetër i Departamentit të Shtetit, Ulrich Brechtbuhl – kanë në plan të kundërshtojnë kërkesën e Kongresit për të dëshmuar në hetimin në fjalë, që drejtohet nga komisionet e Inteligjencës, të Punëve të Jashtme dhe të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve.

Presidenti Trump ka patur një farë suksesi për të bindur zyrtarët kryesorë që të sfidojnë kërkesat ligjore për të dhënë dëshmi në hetimin që po zgjerohet me shpejtësi.

Por disa zyrtarë të sigurisë kombëtare dhe diplomatë, duke përfshirë disa që ende paguhen nga qeveria, u kanë thënë komisioneve të kontrolluara nga demokratët se Presidenti Trump ka qenë në qendër të përpjekjeve për t’i bërë presion Ukrainës që ajo të hapë hetime për ta ndihmuar atë politikisht.

Në SHBA, ligjet për financimin e fushatave ndalojnë që një qeverie të huaj t’i kërkohet ndihmë në fushatë.

Kërkesat e Presidentit Trump për Ukrainën janë në qendër të hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve, që po përpiqet të përcaktojë nëse ai ka shkelur sigurinë kombëtare të SHBA për të favorizuar veten. Ligjvënësit kanë dëgjuar prej javësh dëshmi me dyer të mbyllura lidhur me marrëdhëniet e zotit Trump me Ukrainën, përpara seancave dëgjimore publike që pritet të fillojnë së shpejti.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët mund të votojë në javët e ardhshme me shumicë të thjeshtë për të ngritur akuza ndaj presidentit republikan Trump.

Kjo do të çonte në hapjen e një gjykimi në Senat, ku shumicën e kanë republikanët.

Shpallja e tij fajtor në Senat me një të tretën e votave do të bënte që Presidenti të shkarkohej nga detyra, por kjo duket të jetë e pamundur pasi kjo do të kërkonte votat e të paktën 20 republikanëve.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell, parashikon se në fund Presidenti do të lirohet nga akuzat./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat