Zgjedhjet e së martës, shenjë inkurajuese për demokratët

Amerika

Zgjedhjet e së martës, shenjë inkurajuese për demokratët

Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 06:06
Ilustrim

Demokratët në Shtetet e Bashkuara po festojnë fitoret në zgjedhjet në shtetet e Virxhinias dhe Kentakit që ndoshta mund të jenë tregues të vështirësive që mund ta presin Presidentin Donald Trump në fushatën e tij për të fituar një mandat tjetër në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone njofton se votuesit në periferi të zonave urbane votuan me shumicë dërrmuese për demokratët të martën, duke u dhënë atyre një avantazh që ata mund ta përdorin kundër presidentit në vitin 2020.

Falë mbështetjes nga votuesit në periferitë e zonave urbane, demokratët morën nën kontroll të dyja dhomat e legjislaturës në Virxhinia, një shtytje e madhe për Guvernatorin demokrat të shtetit, Ralph Northam.

“Sot më 5 nëntor të vitit 2019 unë jam këtu për të deklaruar zyrtarisht se Virxhinia është zyrtarisht blu (demokrate). Urime!”

Demokrati Andy Beshear shpalli fitoren në garën për guvernator të Kentakit ndaj guvernatorit aktual, republikanit Matt Bevin.

Zoti Beshear tha se ai fitoi duke e përqëndruar vëmendjen në çështjet lokale, mbase një mësim për demokratët në mbarë vendin.

“Mesazhi im do të ishte që kjo garë nuk ka të bëjë me atë që është në Shtëpinë e Bardhë, por për atë që po ndodh në shtëpinë tuaj.”

Zoti Bevin, mbase guvernatori më pak i popullarizuar në vend, ende nuk e ka pranuar humbjen, por kishte shpresuar se një shtytje në minutën e fundit nga Presidenti Trump do ta çonte atë drejt fitores.

“Kentaki është duke udhëhequr dhe ne mbështesim Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump!”

Presidenti pati fat më të mirë në Misisipin konservator, ku ai i dha mbështetje kandidatit fitues për guvernator, republikanit Tate Reeves.

“Liberalët në vend besojnë se nëse mund të vijnë në Misisipi dhe të fitojnë këto zgjedhje, ata do të dëmtojnë Presidentin Donald Trump në vitin 2020.”

Demokratët, përfshirë kryetarin e partisë Tom Perez, u inkurajuan nga rezultatet e zgjedhjeve të fundit.

“Fitorja e djeshme ( e së martës) ishte një fitore për të gjithë demokratët dhe, mendoj se ishte një fitore për vlerat tona demokratike dhe nuk mund të them mjaft për të gjithë partnerët e shkëlqyeshëm të përfshirë në këtë përpjekje.”

Mbështetja për republikanët në mesin e votuesve në zonat periferike të qyteteve shënoi rënie në këto zgjedhje të fundit, dhe sondazhet tregojnë gjithashtu se presidenti po humbet terren me votuesit e pavarur ndërsa ai përgatitet për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Presidenti Trump mbetet i përqendruar intensivisht në bazën e tij politike, thotë Susan Page.

“Ndoshta surpriza më e madhe e presidencës së zotit Trump, dhe unë e them këtë duke marrë parasysh të gjitha llojet e surprizave, është se ai që nga dita e inaugurimit të tij nuk është përpjekur të zgjerojë bazën e mbështetësve të tij. Ai është përqendruar pothuajse ekskluzivisht në forcimin e mbështetjes brenda bazës së tij të votuesve”.

Presidenti Trump ndodhet mbrapa rivalëve të tij kryesorë demokratë në disa sondazhe të reja kombëtare, por ai ka një paraqitje më të mirë në sondazhet me votuesit e shteteve të pavendosura, në të cilat ai fitoi me rezultat të ngushtë në vitin 2016./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat