Trump hedh poshtë pretendimet e Kinës për tarifat

Amerika

Trump hedh poshtë pretendimet e Kinës për tarifat

Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 21:24
Donald Trump

Presidenti Donald Trump hodhi poshtë pretendimet e Kinës, se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë rënë dakord të heqin disa tarifa që secila palë i vendosi mallrave të njëra-tjetrës gjatë mosmarrëveshjeve së tyre tregtare.

"Ata do të donin anulim të tarifave," tha presidenti Trump të premten ndërsa foli me gazetarët pranë Shtëpisë së Bardhë. "Unë nuk kam rënë dakord për asgjë."

Komentet e Presidentit Trump lënë të kuptohet se mbetet shumë punë për t’u bërë në tryezën e bisedimeve për t'i dhënë fund luftës së hidhur tregtare që ka dëmtuar të dy ekonomitë.

Ministria kineze e Tregtisë tha të enjten se dy ekonomitë më të mëdha në botë kanë rënë dakord të heqin disa tarifa që secila palë vendosi për mallrat e tjetrit gjatë mosmarrëveshjes së tyre të vazhdueshme tregtare.

Zëdhënësi i Ministrisë Gao Feng tha në një konferencë shtypi se nëse negociatorët arrijnë në një fazë të marrëveshjes në bisedimet tregtare, atëherë si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Kina duhet të ulin tarifat në të njëjtën sasi dhe në të njëjtën kohë.

Përmasat e tarifave, tha Gao, do të përcaktohen si pjesë e negociatave.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa të shumta në mallra me vlerë miliarda dollarëshe.

Këshilltari i tregtisë në Shtëpinë e Bardhë Peter Navarro i tha Shërbimit Kinez të Zërit të Amerikës se në fazën e parë të marrëveshjes do të adresohen disa ankesa të Shteteve të Bashkuara mbi politikat tregtare të Kinës, përfshirë manipulimin e monedhës, transferimet e detyruara të teknologjisë dhe vjedhjen e pronës intelektuale, por një marrëveshje e përgjithshme tregtare do të duhet të realizonte më shumë. Zyrtarët kinezë kanë thënë se Kina ndjek rregullat e tregut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat