Trump thotë se nuk është i shqetësuar nga hetimi ndaj tij

Amerika

Trump thotë se nuk është i shqetësuar nga hetimi ndaj tij

Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 22:30
Donald Trump

Presidenti i SHBA Donald Trump tha se ai nuk është i shqetësuar në lidhje me hetimin e Dhomës së Përfaqësuesve, tani që dëshmitë do të bëhen të hapura për publikun. Por ai tha se nuk dëshiron ta mbështesë procesin duke lejuar ndihmësin e tij kryesor të dëshmonte të premten.

Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump nuk u kushtoi rëndësi teksteve të zbardhura të dëshmive me dyer të mbyllura nga ana e zyrtarëve të tjerë që tashmë janë bërë publike.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve po hetojnë mbi akuzat se Presidenti republikan i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar rivalin e tij politik, ish-nënpresidentin Joe Biden, i cili kandidon për zgjedhjet e 2020s.

Presidenti kritikoi gjithashtu demokratët për zhvendosjen e hetimit të tyre në seanca të hapura për publikun javën tjetër.

“Ata nuk duhet të zhvillojnë seanca dëgjimore publike; ky është një mashtrim,” tha Presidenti Trump, i cili ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje.

Ai akuzoi demokratët se po kërkonin njerëz që e urrejnë presidentin dhe tha se ai nuk ishte i njohur me shumicën e dëshmitarëve, të cilët mes të tjerash përfshijnë një numër zyrtarësh të lartë të Departamentit të Shtetit.

“Unë nuk jam i shqetësuar për asgjë. Për mua dëshmitë nuk kanë asnjë problem. Dua të them, në pjesën më të madhe, as që i kam dëgjuar këta njerëz. Nuk e di se kush janë,” u tha ai gazetarëve.

“Le të gjejmë 10 personat që urrejnë më shumë Presidentin Trump dhe le t’i sjellim atje”, shtoi ai.

Hetuesit vazhdojnë të kërkojnë dëshmi pas dyerve të mbyllura nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë, përfshirë edhe nga shefi i stafit në detyrë të Presidentit Trump, Mick Mulvaney.

Zotit Muvaney iu kërkua të enjten mbrëma të paraqitej për dëshmi të premten, por ai nuk u paraqit. Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk do të bashkëpunojë me hetimin e Kongresit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat