Komiteti për Drejtësi vazhdon debatin për shkarkimin e presidentit Trump - Bota Sot
Komiteti për Drejtësi vazhdon debatin për shkarkimin e presidentit Trump

Amerika

Komiteti për Drejtësi vazhdon debatin për shkarkimin e presidentit Trump

Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 09:00
Mbledhja e Komitetit për Drejtësi të Dhomës së Përfaqësuesve

Komiteti për Drejtësi i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së do të vazhdojë debatin për akuzat e shkarkimit ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.

Debati në Komitet filloi më 11 dhjetor. Nëse akuzat votohen atëherë procesi kalon në Dhomën e Përfaqësuesve për një votim të fundit.

Trump po përballet me akuza zyrtare për shpërdorim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Akuzat kanë të bëjnë me raportet e tij me Ukrainën, në veçanti, nëse ai ka kërkuar ndihmën e Kijevit për të hetuar rivalët e tij politikë, duke përfshirë kandidatin e mundshëm presidencial dhe ish-nënpresidentin Joe Biden. Trump, gjithashtu akuzohet se nuk i ka siguruar Kongresit mijëra dokumente të kërkuara dhe ka bllokuar dëshminë e zyrtarëve të administratës, që kishin njohuri për raportet e tij me Ukrainën.

Trump i ka mohuar akuzat, duke i quajtur një "mashtrim" dhe "gjueti shtrigash", ndërsa i përshkroi seancat kundër tij në Dhomën e Përfaqësuesve si një "gjykatë kangurësh".

Nëse miratohen akuzat në Dhomën e Përfaqësuesve, të udhëhequr nga demokratët, atëherë një gjykim përfundimtar për shkarkimin ose jo të presidentit do të mbahet në Senat, ku shumicën e kanë republikanët.

Presidenti Trump ka kërkuar që procesi të shpejtohet dhe të kalojë sa më parë në Senat, ku ai beson se do të kishte një “gjykim të drejtë”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat