Trump “e ka ditur saktësisht” për presionin ndaj Ukrainës

Amerika

Trump “e ka ditur saktësisht” për presionin ndaj Ukrainës

Më: 16 janar 2020 Në ora: 15:00
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Një ndihmës i avokatit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ky i fundit "e ka ditur saktësisht se si po zhvillohen përpjekjet" për t'i bërë presion Ukrainës, për të hetuar ravilin e tij politik, Joe Biden.

Lev Parnas tha për televizionin MSNBC se ai ka shkuar në Ukrainë për t'iu bërë presion zyrtarëve të atjeshëm, në emër të Trumpit dhe avokatit të tij, Rudy Giuliani.

Synimi i dyshuar ka qenë të dëmtohet Bideni, i cili mund ta sfidojë Trumpin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Trump e mohon përfshirjen.

Ai po ashtu thotë se nuk e njeh Parnasin, një biznesmen amerikano-ukrainas dhe donator i Partisë Republikane.

Bazuar në këto dyshime, Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara ka ngritur dy akuza formale kundër Trumpit në muajin dhjetor: për shpërdorim të detyrës dhe pengim të drejtësisë.

Çështja këtë javë ka kaluar në Senat - institucionin që do ta gjykojë Trumpin.

Nëse gjatë gjykimit në Senat shpallet fajtor - gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët - Trump do të shkarkohej nga detyra.

Trump, republikan, këmbëngul se nuk ka bërë asgjë të keqe dhe hetimet kundër tij i quan "gjueti shtrigash".

Për çfarë akuzohet Trump?

Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Bidenin.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare. Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat