Dy persona i bashkohen ekipit ligjor të Trumpit para gjyqit në Senat - Bota Sot
Dy persona i bashkohen ekipit ligjor të Trumpit para gjyqit në Senat

Amerika

Dy persona i bashkohen ekipit ligjor të Trumpit para gjyqit në Senat

Më: 18 janar 2020 Në ora: 15:16
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Ish-këshilltari i pavarur Ken Starr, që kishte marrë pjesë në gjykimin për shkarkimin e ish-presidetit Bill Clinton më 1998 dhe avokati i njohur Alan Dershowitz, i janë bashkuar ekipit ligjor të Trumpit, kanë raportuar mediat amerikane.

Gjyqi në Senatin që udhëhiqet nga Republikanët zyrtarisht nisi më 16 janar, megjithatë pritet që prej 21 janarit të nisin edhe fjalët hapëse. Në këtë gjyq pritet të përcaktohet nëse presidenti Trump duhet të largohet nga detyra.

Dhoma e Përfaqësuesve, ku shumicën e kanë Demokratët, kanë votuar për të nisur procedurat e gjyqit ndaj Trumpit, për dy akuza që lidhen me Ukrainën.

Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

Senati pritet që ta lirojë nga akuzat presidentin Trump, pasi asnjëri nga 53 republikanët nuk kanë shprehur qëndrim se Trump duhet të shkarkohet.

Presidenti Trump ka mohuar çdo keqbërje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat