Mediat kundër rregullave shtrënguese gjatë gjyqit të Presidentit - Bota Sot
Mediat kundër rregullave shtrënguese gjatë gjyqit të Presidentit

Amerika

Mediat kundër rregullave shtrënguese gjatë gjyqit të Presidentit

Më: 18 janar 2020 Në ora: 16:37
Gjyqi i Presidentit

Për të tretën herë në historinë e Shteteve të Bashkuara, senatorët janë shndërruar në jurinë që do të gjykojë presidentin amerikan e që do të vendosë nëse ekzistojnë prova të mjaftueshme për ta larguar nga detyra. Anëtarët e Kongresit japin llogari për vendimet e tyre përpara një shtypi të lirë që bën pyetje të vështira rreth veprimtarisë së tyre. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson, rregullat e reja për gjyqin e Presidentit Trump mund ta ndryshojnë këtë gjë.

Qasja është parimi themelor që u lejon gazetarëve t’u drejtojnë pyetje ligjvënësve amerikanë dhe këta të fundit të shpjegojnë veprimet e tyre nëpërmjet mediave. Në dallim nga Shtëpia e Bardhë, Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit, në Kongres, gazetarëve u është dhënë gjithnjë një liri relativisht e gjerë veprimi.

“Bukuria e politikave që kemi në Shtetet e Bashkuara është se ne mundemi në fakt të përballemi me zyrtarët e zgjedhur dhe të mos i frikësohemi burgut. Kemi në fakt qasjen tek vendimmarrësit për t’i pyetur se çfarë qëndrimi kanë, madje edhe për situata të sikletshme”, thotë Al Tompkins, i Institutit “Poynter”.

Por kjo gjë po ndryshon me procesin gjyqësor ndaj Presidentit Trump. Protestat në godinën e Senatit gjatë konfirmimit të anëtarit të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh, i kanë krijuar policisë së Kapitolit dhe maxhorancën republikane shqetësimin se diçka e ngjashme mund të ndodhë gjatë gjyqit të Presidentit Trump.

“Njerëzit ishin të përzier me protestuesit në të njëjtat mjedise. Shqetësimet se këtë radhë protestuesit mund të hyjnë edhe brenda sallës, u pasuan me masa të tepruara. Janë shtuar aq shumë masat e sigurisë, sa që e kanë bërë të pamundur për gazetarët të bëjnë punën e tyre”, thotë zoti Tompkins.

Kjo do të thotë se për ca kohë nuk do t’i shohim më gazetarët duke ndjekur senatorët që nuk duan të japin përgjigje...

Rregullat e reja janë kritikuar nga disa republikanë.

“Është thellësisht marrëzi... Nuk jam dakort. Senatorët janë burra e gra në moshë të rritur. Dimë si të themi ‘No comment. Jo, nuk dua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje tani. Nuk jam gati’. Prandaj nuk e kuptoj pse po veprojmë kështu”, thotë Senatori republikan John Kennedy.

Shumë senatorë demokratë frikësohen se punimet në sallën e Senatit gjatë procesit gjyqësor ndaj Presidentit Trump mund të zhvillohen pa praninë e mediave gjatë pikave kyçe të procesit.

“Mendojmë që procesi të jetë i hapur nga fillimi në fund. Shpresoj të jetë kështu. Republikanët mund të votojnë sigurisht në çdo moment për të kaluar në proces me dyer të mbyllura. Ata kanë shumicën në këtë proces që përcaktohet nga vota. Mendoj që populli amerikan duhet të dijë çfarë ndodh këtu”, thotë Senatori demokrat Robert Menendez.

Në këtë mënyrë mund t’ju vështirësohet edhe më tej puna gazetarëve që do të përpiqen të informojnë publikun për procesin gjyqësor ndaj presidentit amerikan. Ky është një lloj testi për demokracinë amerikane që shfaqet një herë në një gjeneratë. Organizatat e mediave po punojnë dhe negociojnë për ta ruajtur këtë qasje kaq të rëndësishme./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat