Nis hetimi në senatin amerikan, çfarë do të ndodh me presidentin Trump?

Amerika

Nis hetimi në senatin amerikan, çfarë do të ndodh me presidentin Trump?

Më: 22 janar 2020 Në ora: 06:35
Donald Trump

Hetimi që mund të çojë në shkarkimin e Presidentit Donald Trump filloi të martën në senatin amerikan. Është hera e tretë në historinë amerikane që një president përballet me shkarkimin e mundshëm, nën akuzat për shkelje në detyrë.

Një nga hapat e para të procesit në senatin me shumicë republikane ishte votimi i programit të propozuar nga udhëheqësi Mitch McConnell për hetimin.

Rezoluta e senatorit McConnell u jep ligjvënësve demokratë që do të jenë në rolin e prokurorëve si edhe ekipit ligjor të Presidentit Trump nga 24 orë gjatë dy ditëve të ardhshme për të paraqitur argumentat e tyre. Në projekt-rezolutë nuk thuhet nëse do të thirren dëshmitarë dhe nëse do të lejohet parqitja e provave të reja.

McConnell dhe republikanët e kanë bërë të qartë se duan që gjyqi të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe të përfundojë me shpalljen të pafajshëm të Trump.

Drejtuesi i i pakicës në Senat, Chuck Schumer tha se një gjyq pa paraqitje provash, dëshmitarë ose dokumenta “nuk është aspak gjyq”.

Avokatët e Trump po sulmojnë argumentat e procesit të shkarkimit ndaj tij. Ata thanë se ai nuk bëri “absolutisht asgjë të keqe” kur i kërkoi Ukrainës të ndërmerrte hetime ndaj rivalit të tij, gjë që, sipas demokratëve, synonte ta ndihmonte presidentin për të përfituar politikisht. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi dy akuza ndaj Trump. Sipas njërës prej tyre, ai abuzoi me postin e presidentit duke i bërë presion presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy që të hetonte një nga rivalët kryesorë të Presidentit Trump për zgjedhjet e vitit 2020, ish-nënpresidentin, Joe Biden. Akuza e dytë është se ai pengoi hetimin e Kongresit.

Për demokratët Trump është fajtor për të dyja akuzat ndërsa avokatet e Trump, në një dosje prej 110 faqesh, thonë se presidenti po zhvillonte normalisht politikë të jashtme në bisedat me presidentin Zelenskiy. Gjasat që senati të autorizojë shkarkimin e Trump janë të pakta sidoqoftë, për shkak të shumicës republikane atje. Për shkarkimin nevojiten votat e dy të tretave të senatorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat