Senati miraton rregullat për hetimet ndaj presidentit Trump - Bota Sot
Senati miraton rregullat për hetimet ndaj presidentit Trump

Amerika

Senati miraton rregullat për hetimet ndaj presidentit Trump

Më: 22 janar 2020 Në ora: 14:06
Senati i Shteteve të Bashkuara

Senati i Shteteve të Bashkuara i ka miratuar rregullat themelore për procesin hetimor ndaj presidentit Donald Trump. Ky vendim erdhi pas një debate të gjatë, i cili zgjati gati 13 orë.

Anëtarët e Partisë Demokratike u përplasën me avokatët e presidentit Trump për këtë proces, ndërsa republikanët i refuzuan kërkesat për më shumë dëshmitarë dhe dëshmi të reja.

Procesi hetimor do të vazhdojë të mërkurën me argumentet e prokurorëve, ndërsa pas tyre fjalën do ta kenë avokatët mbrojtës dhe do të shtrohen pyetjet ndaj dëshmitarëve.

Kjo është vetëm hera e tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara që një president përballet me hetime. Trump-i akuzohet për keqpërdorim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit. Ai i ka mohuar akuzat.

Hetimet në Senat do të udhëhiqen nga kryetari i Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara, John Roberts.

Senatorët janë zotuar se do të angazhohen gjashtë orë në ditë dhe gjashtë ditë në javë deri në përmbylljen e këtij procesi.

Hetimet ndaj presidentit mund të përfundojnë me shkarkimin e tij, por një gjë e tillë është pak e mundshme në këtë rast për shkak se shumica e senatorëve vijnë nga radhët e Partisë Republikane, pjesë e së cilës është edhe Trump-i, shkruan “BBC”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat