Tubim kundër abortit në Uashington

Amerika

Tubim kundër abortit në Uashington

Më: 24 janar 2020 Në ora: 17:05
Uashington

Mijëra demonstrues po mblidhen në Uashington për një tubim vjetor kundër abortit.

Në një postim në twitter të mërkurën Presidenti Donald Trump njoftoi se do të mbajë një fjalim gjatë tubimit të quajtur “Marshimi për jetën”, çka shënon dhe pjesmarrjen për herë të parë të një presidenti në detyrë.

Fjalimi i zotit Trump, i cili dikur e cilësonte veten si një njeri shumë pro zgjedhjes së lirë, vjen ndërsa ndaj tij po zhvillohet një gjyq në Senat që synon shkarkimin nga detyra.

Fjalimin e tij Presidenti Trump do ta mbajë përpara një përfaqësie të gjerë të të krishterëve ungjillorë të cilët në shumicën e tyre e kundërshtojnë abortin. Ata janë ndër mbështetësit e tij më të zjarrtë në radhët e konservatorëve.

Disa ditë përpara njoftimit të zotit Trump se do të merrte pjesë në këtë tubim një organizatë politike kundër abortit, e quajtur “Lista Susan B. Anthony”, bëri të ditur se do të dhurojë 52 milionë dollarë për ta mbështetur atë dhe kandidatët e tjerë republikanë në zgjedhjet e nëntorit.

Presidentja e grupit NARAL Pro-zgjedhjes Ilyse Hogue, në një postim në twitter shkruante se vendimi i zotit Trump për të mbajtur fjalim në tubim është një përpjekje e dëshpëruar për të larguar vëmendjen nga presidenca e tij kriminale, siç shkruante ajo, dhe për t’i dhënë energji bazës së tij radikale.

Donald Trump do të jetë presidenti i parë që do të marrë pjesë në këtë marshim në historinë e tij 47-vjeçare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat