Pesë mënyrat se si coronavirusi mund ta dëmtojë ekonominë amerikane – dhe vetë presidentin Trump

Amerika

Pesë mënyrat se si coronavirusi mund ta dëmtojë ekonominë amerikane – dhe vetë presidentin Trump

Më: 11 shkurt 2020 Në ora: 07:07
Foto ilustrim

Presidenti i tanishëm amerikan, Donald Trump, është duke shkuar drejt zgjedhjeve të vitit 2020 me një ekonomi të fortë.

Por tani, coronavirusi me përhapje të shpejtë, i cili ka prekur më shumë se 30,000 persona dhe ka vrarë më shumë se 600 njerëz, po kërcënon edhe rritjen e ekonomisë globale.

Zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë, udhëtimi ajror është ngadalësuar, dhe transporti detar ka marrë një goditje pasi Pekini ka vendosur qytete të tëra “në karantinë”.

Dhe sigurisht kjo do të ndikojë në ekonominë e SHBA-së, edhe pse ende nuk dihet se çfarë ndikimi mund të ketë, shkruan CNN.

“Në këtë pikë, unë mendoj se ndikimi ekonomik do të jetë disi minimal”, vlerëson Beth Ann Bovino, kryekonomiste amerikane në S&P Global.

Një arsye sipas saj, është sepse ekonomia amerikane kryesisht është e nxitur nga aktiviteti i brendshëm, që përbën 85 për qind të të gjithë aktivitetit ekonomik, tha ajo.

Por cilat do të jenë gjërat që mund të preken, në afat të shkurtër kohor?

Rënia e çmimeve të naftës

Përhapja e coronavirusit tashmë ka goditur kërkesën për naftë – një problem për prodhuesit amerikanë, të cilët vijnë nga shtetet si Teksasi, Alaska dhe Dakota e Veriut, si dhe shtete si New Mexico ku Trump humbi zgjedhjet në vitin 2016.

Në vitin 2019, kërkesa për naftë në Kinë përbënte rreth 14 për qind të tregut botëror.

Plus kësaj, kërkesa për karburant për aeroplanë ka marrë një goditje sepse linjat ajrore të mëdha kanë pezulluar të gjitha fluturimet drejt dhe nga territori i Kinës.

Por mbetet e paqartë nëse çmimet do të mbeten të ulëta ndërsa kriza shëndetësore vazhdon.

OPEC mund të vendosë për të ulur prodhimin e naftës, por ende nuk ka vendosur për një plan, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Blerjet bujqësore

Fermerët amerikanë kishin shpresë se marrëveshja paraprake, “faza e parë” e arritur me Kinën muajin e kaluar mund të kthejë njëfarë sigurie në tregjet e tyre të eksportit, të cilat u tronditën nga lufta tregtare.

Në marrëveshje, Kina ra dakord të rrisë blerjet e saj të mallrave amerikane dhe produkteve bujqësore.

Por analistët ishin skeptikë se angazhimet mund të përmbushen dhe kriza e coronavirusit sjell më shumë dyshime.

Si pasojë, fermerët ndoshta duhet të presin më gjatë për të parë porosi të mëdha për soje dhe misër – porosi të ardhura nga Kina.

Ndërsa disa fermerë, një elektorat kyç për Trumpin, kanë shprehur zhgënjimin për luftën e vazhdueshme tregtare me Kinën, të tjerët “janë mbërthyer pas tij” dhe besojnë se do të përfitojnë në një periudhë afatgjate.

Çrregullim i zinxhirit të furnizimit

Fabrikat janë mbyllur në të gjithë Kinën, duke krijuar pasiguri për kompanitë amerikane që mbështeten tek furnizuesit kinezë. Gjithashtu është e paqartë kur do të hapen këto fabrika.

Ndikimi është jo i madh, tani për tani, sepse fabrikat do të ishin mbyllur gjithsesi për një javë për shkak të Vitit të Ri Lunar.

Por nëse dërgesat e materialeve përfundojnë duke u vonuar, kjo mund të ketë një efekt të tepërt gjatë gjithë procesit të prodhimit.

Përveç veshjeve dhe mbathjeve, industria e telefonave inteligjentë dhe automjeteve janë shumë të varura nga prodhimi në Kinë.

Për shembull, General Motors dhe shumë prodhues të tjerë kanë fabrika në Wuhan, të cilat janë mbyllur që nga fundi i janarit.

Kërkesa e dobët e konsumatorit kinez

Nëse konsumatorët kinezë janë “duke qëndruar në shtëpi”, kjo mund të dëmtojë kompanitë amerikane që bëjnë biznes në Kinë.

Në fund të janarit, Starbucks kishte mbyllur më shumë se gjysmën e më shumë se 4,000 “lokaleve” të saj kineze. Edhe Apple mbylli përkohësisht 42 dyqanet e saj në Kinë.

Nike, Adidas dhe Capri Holdings, e cila zotëron Versace, Jimmy Choo dhe Michael Kors, gjithashtu kanë paralajmëruar investitorët se ata mund të përballen me një goditje nëse kërkesa nga Kina bie.

Goditjet në turizëm

Administrata e presidentit Trump aktualisht po kufizon hyrjen në Shtetet e Bashkuara nga Kina, dhe amerikanët që kanë vizituar Kinën brenda 14 ditëve të fundit, kontrollohen për simptoma.

Edhe nëse nuk tregojnë shenja të sëmundjes, u kërkohet të “vetë-karantinohen” brenda shtëpisë së tyre.

Kjo tashmë po dëmton linjat ajrore. American Airlines dhe United Airlines kanë pezulluar fluturimet drejt dhe nga Kina deri në fund të marsit, dhe Delta ka anuluar fluturimet deri më 30 prill.

Mund të dëmtojë gjithashtu restorantet dhe dyqanet që përfitojnë nga turizmi kinez.

Ndryshe, më shumë se 2,5 milionë kinezë vizituan Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat