SHBA i bën thirrje Kinës të pranojë ndihmën amerikane për koronavirusin - Bota Sot
SHBA i bën thirrje Kinës të pranojë ndihmën amerikane për koronavirusin

Amerika

SHBA i bën thirrje Kinës të pranojë ndihmën amerikane për koronavirusin

Më: 11 shkurt 2020 Në ora: 21:43
Zyrtarët e shëndetësisë në SHBA

Zyrtarët e shëndetësisë në SHBA përsëri i bënë thirrje Kinës të pranojë ndihmën e ekspertëve amerikanë për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dërgoi një ekip ekspertësh ndërkombëtarë në Kinë të hënën, por ende nuk dihet nëse në këtë grup përfshihen edhe amerikanë.

OBSH nuk iu përgjigj pyetjes së Zërit të Amerikës për përbërjen e ekipit.

Dr Anne Schuchat, Zëvendës Drejtore Kryesore e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u tha gazetarëve të martën në Uashington se "CDC ka dhënë emra për ekipin e OBSH-së dhe ne zakonisht jemi pjesë e ekipeve të OBSH-së".

Schuchat theksoi se epidemiologët amerikanë, si dhe virologët, ekspertët e kontrollit të infeksionit, ekspertët e karantinës "kanë shumë për të ofruar", dhe se mund të jetë shumë e dobishme që Kina të ketë ekspertë të huaj në një epidemi.

Ekspertët amerikanë pritet të mësojnë më shumë rreth sëmundjes ndërsa e luftojnë atë.

"Është me rëndësi shumë kritike për ne që të kuptojmë rrugët e ndryshme të transmetimit dhe fuqinë e plotë të virusit, që mund të na ndihmojë me modelet tona se çfarë ndikimi mund të ketë, nëse virusi përhapet në shumë vende," tha zonja Schuchat.

Që nga fillimi i janarit, SHBA ka ofruar të dërgojë ekspertë në Kinë për të ndihmuar në kontrollin e koronavirusit.

Më 6 janar Qendrat e ShBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ofruan dërgimin e një ekipi amerikan, dhe më 27 janar, Sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar përsëriti ofertën për homologun e tij kinez Dr. Ma Xiaowei.

Pasi Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus arriti marrëveshje me Presidentin Kinez Xi Jinping për të pranuar një ekip ndërkombëtar ekspertësh gjatë takimit të tyre në 28 janar, zyrtarët e SHBA nisën përpjekjet për të përfshirë grupin amerikan të ekspertëve në misionin e OBSH-së në Kinë.

"Me sa di, në diskutimet e fundit ka pasur prirje nga ana e Kinës për ta pranuar atë," tha zonja Schuchat.

Ekspertët amerikanë të shëndetit gjithashtu i kërkuan Kinës të marrë ekspertizën e SHBA në kontrollin e epidemive./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat