Sulmohet Gjykatësja që dha dënimin për Roger Stone

Amerika

Sulmohet Gjykatësja që dha dënimin për Roger Stone

Më: 28 shkurt 2020 Në ora: 18:25
Gjykatësja Amy Berman Jackson

Gjykatësja amerikane Amy Berman Jackson u gjend nën presion dhe durimi i saj po sfidohej.

Ndërsa afrohej momenti i shumëpritur i dhënies së dënimit për Roger Stone, një i besuar i hershëm i Presidentit Donald Trump, Gjykatësja Jackson u përball me një stuhi kritikash nga Presidenti Trump dhe aleatët e tij konservatorë, për shkak të mënyrës se si ajo menaxhoi këtë çështje që ata e konsiderojnë si të motivuar politikisht.

65-vjeçarja Jackson, e diplomuar në Universitetin e Harvardit, u përball me shumë epitete, si “gjykatëse e Obamës”, “e korruptuar”, apo “anti-Trump”.

I shqetësuar se zoti Stone mund të merrte një dënim të gjatë me burg për mashtrim të Kongresit dhe manipulim të dëshmitarëve, Presidenti Trump akuzoi për anshmëri Gjykatësen Jackson në një mesazh në Twitter në 11 shkurt: “A është kjo Gjykatësja që vendosi Paul Manafortin në qeli të izoluar? Si e trajtoi ajo të korruptuarën Hillary Clinton? Thjesht po pyes!”.

Nuk është hera e parë që Presidenti Trump sulmon një gjykatës federal. Për kritikët, kjo ishte një përpjekje për ta frikësuar gjykatësen që ta linte të lirë mikun e Presidentit, të shpallur fajtor.

Sipas traditës, gjykatësit në SHBA nuk u përgjigjen sulmeve personale. Por, ndërsa ajo po përgatiste dënimin me mbi katër vite burgim për zotin Stone, Gjykatësja Jackson mbajti nga foltorja një ligjëratë të fuqishme në mbrojtje të një gjyqësori të pavarur dhe kundër përpjekjeve për ta deligjitimuar atë.

“Zhgënjimi dhe neveritja me të gjitha përpjekjet për të ndërhyrë tek puna e prokurorëve dhe gjykatësve ndërsa përmbushin detyrën e tyre, duhet të tejkalojë linjat partiake”, tha Gjykatësja Jackson.

“Sigurisht që pala mbrojtëse është e lirë të thotë: E çfarë pastaj? Kujt iu bë vonë?”, tha ajo. “Por, ju them se Kongresi u merakos. Po kështu u shqetësuan edhe Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e Prokurorit të Shteteve të Bashkuara për Distriktin e Kolumbias që hetoi këtë rast. U shqetësuan edhe qytetarët që përbëjnë trupën gjyqësore, të cilët shërbyen me integritet nën rrethana të vështira. I kushtoi vëmendje populli amerikan. Dhe sigurisht edhe unë”.

Nuk është e zakonshme që emri i një gjykatësi federal të bëhet i pranishëm në familjet amerikane.

Deri vonë, zonja Jackson nuk njihej shumë përtej një rrethi të vogël avokatësh dhe prokurorësh që janë të angazhuar në procese gjyqësore të gjykatës federele në Uashington D.C.

Ngritja e akuzave ndaj zotit Stone ishte momenti që e vendosi zonjën Jackson në epiqendër të vëmendjes kombëtare, si gjykatësja që kryesoi një ndër çështjet me vizibilitetin më të lartë publik të viteve të fundit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat