Argjentina pritet ta legalizojë abortin

Amerika

Argjentina pritet ta legalizojë abortin

Më: 2 mars 2020 Në ora: 09:20
Alberto Fernandez

Argjentina është në rrugë që të bëhet shteti i parë i madh në Amerikën Latine që e legalizon abortin. Presidenti i këtij vendi, Alberto Fernandez, tha të dielën se planifikon ta dërgojë projektligjin për abortin në kuvend gjatë dhjetë ditëve të ardhshme.

“Shteti duhet t’i mbrojë qytetarët e vet në përgjithësi dhe gratë në veçanti. Shoqëria në shekullin XXI duhet ta respektojë zgjedhjen personale të anëtarëve të saj që të vendosin lirshëm për trupat e tyre”, tha ai.

Aborti është i ndaluar me ligj në pjesën më të madhe të Amerikës Latine. Në rajonin me 21 shtete, të mbizotëruar nga Kisha Katolike, aborti lejohet vetëm në Kubë dhe në Uruguai.

Nëse kuvendi e miraton projektligjin e propozuar nga presidenti, Argjentina, shtet me 45 milionë banorë, do të bëhej vendi i parë i madh në Amerikën Jugore që e legalizon abortin.

Një projektligj i ngjashëm ishte dërguar në kuvend edhe në gusht të vitit 2018, por ai nuk i kishte marrë votat e mjaftueshme për miratim, shkruan “The Guardian”.

Vendimi i presidentit argjentinas për ta çuar përpara projektligjin për legalizimin e abortit u mirëprit nga aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të grave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat