Së paku 23 të vdekur e 30 të zhdukur nga rrëshqitjet e dheut në Brazil

Amerika

Së paku 23 të vdekur e 30 të zhdukur nga rrëshqitjet e dheut në Brazil

Më: 4 mars 2020 Në ora: 09:47
Foto ilustrim

Të paktën 23 persona kanë vdekur dhe 30 të tjerë janë zhdukur pas reshjeve të mëdha të shiut dhe rrëshqitjeve të dheut në rajonet e Sao Paulo-s dhe Rio de Janeiro-s në Brazil.

Shifra e viktimave pritet të rritet edhe më shumë pasi zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit po i vazhdojnë kërkimet për personat e zhdukur.

Më së shumti nga kjo fatkeqësi natyrore është goditur Sao Paulo, ku janë konfirmuar 18 persona të vdekur. Në mesin e viktimave janë një nënë, fëmija i saj dhe dy zjarrfikës, të cilët po përpiqeshin ta shpëtonin fëmijën e ngujuar nën rrënoja.

Banorët lokalë po u ofrojnë ndihmë zjarrfikësve gjatë operacionit të kërkimit dhe largimit të mbetjeve. Disa rrugë janë bllokuar nga balta dhe drunjtë e rrëzuar.

Në disa rajone, brenda disa orëve ra shi sa mesatarja e një muaji, duke shkaktuar vërshime dhe rrëshqitje të dheut, shkruan “BBC”.

Brazili përballet shpesh me reshje të mëdha dhe rrëshqitje të dheut. Në janar, së paku 30 persona vdiqën për shkak të reshjeve të mëdha të shiut në rajonin Minas Gerais.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat