Kufizime të reja në SHBA kundër koronavirusit

Amerika

Kufizime të reja në SHBA kundër koronavirusit

Më: 24 mars 2020 Në ora: 10:03
Ilustrim

Më shumë se gjysma e shteteve amerikane kanë vendosur kufizime të reja për njerëzit, në përpjekje për të frenuar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.

Shumica e tyre kanë lëshuar urdhra për qëndrim në shtëpi, për të shmangur rritjen e numrit të njerëzve që infektohen.

Shtetet e Bashkuara kanë tani numrin e tretë më të madh të rasteve në botë, pas Kinës dhe Italisë.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, mbi 46,000 njerëz janë të infektuar atje dhe 610 kanë humbur jetën.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar të hënën se pandemia e koronavirusit “po merr hov”, por ka thënë se është akoma e mundur që “të ndryshohet trajektorja”.

Së paku 18 shtete të SHBA-së, në të cilat jetojnë 158 milionë njerëz, ose gati gjysma e popullsisë amerikane, kanë lëshuar urdhra për qëndrim në shtëpi.

Banorët mund të dalin vetëm për të blerë ushqime, ilaçe ose nevoja të tjera.

Uashingtoni, ku ka ndodhur më shumë se një e katërta e vdekjeve në SHBA nga koronavirusi, është bërë shteti më i fundit që ka lëshuar urdhër të tillë.

Nju Jorku, i cili ka mbi 20,000 njerëz të infektuar dhe 157 viktima, ka kërkuar urgjentisht pajisje mjekësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat