Gazetarët po ‘anashkalojnë’ konferencat e presidentit Trump – thonë se “nuk po ka lajme të vlefshme për të rrezikuar shëndetin”

Amerika

Gazetarët po ‘anashkalojnë’ konferencat e presidentit Trump – thonë se “nuk po ka lajme të vlefshme për të rrezikuar shëndetin”

Më: 1 prill 2020 Në ora: 20:54
Donald Trump

Reporterët “anashkalojnë” raportimet e përditshme të presidentit amerikan Donald Trump, dhe rrjetet televizive gjithnjë e më shumë po zgjedhin të mos i transmetojnë ato Live, sepse ata besojnë se “nuk kanë vlerë të mjaftueshme lajmesh” për të rrezikuar të shkelin rregullat e distancimit shoqëror.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, kjo është vërejtur edhe në ditët e fundit, ku ka pasur një sërë vendesh boshe në dhomën e konferencave për shtyp, në Shtëpinë e Bardhë, aty nga ku Trump ka dhënë azhurnime mbi betejën e SHBA-së kundër coronavirusit, krahas zyrtarëve të shëndetit publik.

Por, sipas Business Insider, në vend që të jepte informacione kyçe dhe vlerësime të kthjellëta të situatës për publikun amerikan, Trump shpeshherë është drejtuar në taktika më të njohura nga mitingjet e tij të fushatës: ndër tjerash duke u mburrur për arritjet e tij.

Sipas The Washington Post, reporterët tani “po mbajnë distancën e tyre sepse shqetësohen për rreziqet e shëndetit në një kohë kur shumë e konsiderojnë konferencat e lajmeve të presidentit në mbrëmje se janë bërë gjithnjë e më pak të vlefshme për lajmet”.

Po sipas të njëjtit medium, pasi dy korrespodentë të Shtëpisë së Bardhë së fundmi u dyshuan se kishin virusin, mediat kryesore përfshirë The Post, The New York Times dhe CNBC ndaluan dërgimin e korrespondentëve veteranë për të mbuluar njoftimet, njoftoi The Post.

“Në ditët e sotme, duket se ata bëjnë shumë pak lajme”, ka thënë Redaktori Ekzekutiv i The Times, Dean Baquet, për The Post. “Ne, sigurisht, rezervojmë të drejtën t’i tregojmë ata live [përmes transmetimit në internet] nëse besojmë se ata në të vërtetë do të bëjnë lajme. Por kjo nuk ka ndodhur për një kohë”.

Gjithashtu, po sipas shkrimit në fjalë, rrjetet kabllovike kanë anashkaluar edhe njoftimet e Trump.

Për më shumë se një javë, rrjetet përfshirë CNN dhe MSNBC janë larguar nga njoftimet e Trump – ose nuk i shfaqin ato fare.

Në përgjigje të kritikave nga Shtëpia e Bardhë javën e kaluar për mos shfaqjen e informimit të plotë të presidentit, MSNBC i tha The Hill në një deklaratë se nuk po transmetonte konferencën e plotë “sepse informacionet nuk dukeshin më të vlefshme për diskutimet e rëndësishme rreth shëndetit publik”.

Gjatë konferencave të tij për shtyp, Trump ka shtruar pyetje dhe ka drejtuar sulme ndaj reporterëve nga rrjetet televizive, duke përfshirë Yamiche Alcindor të PBS-së, pyetjet e së cilës provokuan zemërimin e presidentit.

Ndryshe, presidenti amerikan të dielën njoftoi se masat e bllokimit të SHBA-së do të zgjeroheshin deri më 30 prill dhe të martën ai zbuloi parashikime të reja duke sugjeruar se deri në 240,000 amerikanë mund të vdisnin nga COVID-19 edhe me masa të rrepta për ta luftuar atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat