Covid-19, amerikanët e papunë ndeshen me vështirësi dhe pasiguri

Amerika

Covid-19, amerikanët e papunë ndeshen me vështirësi dhe pasiguri

Më: 11 prill 2020 Në ora: 07:27
Ilustrim

Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur një qasje të ndryshme në krahasim me disa vende evropiane, duke ofruar lehtësime për punëtorët e industrive që janë detyruar të mbyllen për të vënë nën kontroll përhapjen e COVID-19. Ndërsa vendet si Gjermania dhe Franca po rimbursojnë bizneset për të mbajtur punëtorët në listën e pagave, korrespondenti i Zëri i Amerikës Brian Padden njofton se Shtetet e Bashkuara kryesisht po u ofrojnë ndihmë qeveritare miliona punëtorëve pas pezullimit ose pushimit të tyre nga puna.

Sistemi i papunësisë në Shtetet e Bashkuara është rënduar pasi afro 10 milionë punëtorë u pezulluan përkohësisht nga puna gjatë muajit të fundit për shkak të shpërthimit të koronavirusit dhe miliona njerëz të tjerë të pushuar nga puna aplikuan për të marrë përfitimet e papunësisë. “Unë në fakt nuk kam marrë përfitimet e papunësisë. Sistemi është mbingarkuar. Ju nuk mund të telefononi, nëse telefononi ata nuk të përgjigjen”, thotë Ryan Freeman, punonjës restoranti në qytetin e Siatëllit.

Në të gjithë botën, mbyllja e aktivitetit ekonomik për të ngadalësuar pandeminë vdekjeprurëse ka lënë shumë biznese në prag të kolapsit. Në disa vende të Evropës qeveritë po paguajnë kompanitë që të mbajnë punëtorët në listën e pagave për të stabilizuar ekonominë dhe për të lehtësuar ankthin financiar gjatë krizës së shëndetit publik.

“Në këtë rast punëtori e di se ku do të kthehet pas përfundimit të krizës, dhe vazhdon të ketë sigurim shëndetësor”, thotë Mark Gaston Pearce nga Instituti i të Drejtave të Punëtore në Universitetin e Georgetownit në Uashington. Por, në Shtetet e Bashkuara shumë punëtorë kualifikohen për ndihmë vetëm pasi të humbasin vendet e tyre të punës. Shumë prej tyre humbasin edhe sigurimet shëndetësore të ofruara nga punëdhënësi, dhe disa grupe si emigrantët pa dokumente janë të përjashtuar nga marrja e përfitimeve të papunësisë.

Qeveria federale po u jep 1,200 dollarë amerikanëve me të ardhura të moderuara dhe Kongresi po negocion për një raund të dytë të pagesave stimuluese. Qeveria amerikane ka një program që synon t’i mbajë punëtorët në punë, përmes ofrimit të huave për bizneset e vogla që do t’u falen nëse punëdhënësit i mbajnë punëtorët gjatë pandemisë. “Arsyeja pse gjithçka është kaq e ndërlikuar është ndoshta sepse ata nuk duan të kenë një seri stimujsh tepër të çuditshëm që mund të çojnë në sjellje jo normale të bizneseve pasi të rihapen”, thotë Iian Murray nga Instituti i Ndërmarrjeve Konkurruese.

Në disa shtete, Garda Kombëtare po ndihmon në shpërndarjen e ushqimeve për njerëzit në nevojë, ndërsa shumë prej tyre që po presin për përfitimet e papunësisë po ndeshen me vështirësi në blerjen e ushqimeve. “Nuk e di se çfarë do të bëjmë për qiranë ose faturat e energjisë elektrike muajin tjetër”, thotë Sarah Bush nga qyteti i Atlantës, e pushuar së fundmi nga puna.

Pasi të zgjidhen vonesat burokratike dhe mbingarkimi i sistemit, ndihma financiare duhet të ndihmojë amerikanët e papunë të mbijetojnë në një afat të shkurtër, por shqetësimet për një rimëkëmbje të ngadaltë ekonomike kanë bërë që shumë amerikanë të vënë në pikëpyetje mundësinë e rikthimin në vendet e tyre të vjetra të punës pas përfundimit të pandemisë./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat