Trump thotë se ka parë prova që e ndërlidhin virusin me laboratorin kinez

Amerika

Trump thotë se ka parë prova që e ndërlidhin virusin me laboratorin kinez

Më: 1 maj 2020 Në ora: 09:34
Presidenti amerikan, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ai ka parë prova që i japin atij një "shkallë të lartë besimi" se koronavirusi doli nga një laborator kinez i virologjisë.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë më 30 prill, Trump tha se ai i kishte parë provat, por nuk pranoi të jepte detaje, duke shtuar se nuk i lejohet të flasë për këtë.

Komentet ka të ngjarë të rrisin përplasjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Javët e fundit të dyja vendet kanë shkëmbyer akuza dhe mohime për origjinën e koronavirusit.

Trump pretendoi sërish se koronavirusi mbase është përhapur për shkak të një gabimi në laborator, duke shtuar se Kina nuk ka mundur ta ndalë përhapjen e tij, ose thjeshtë e kanë lënë atë të përhapej.

Deklaratat e Trumpit vijnë pasi agjencitë e inteligjencës amerikane thanë se ende po hulumtonin nëse pandemia mund të ketë rezultuar nga një aksident në një laborator kinez.

Megjithatë këto agjenci e kanë përjashtuar mundësinë që virusi "të jetë krijuar nga njeriu ose të jetë modifikuar gjenetikisht".

Laboratori në Vuhan të Kinës, të cilit iu referua Trumpi, ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit amerikan.

Në fillim të kësaj jave, Kina akuzoi politikanët amerikanë për "gënjeshtra".

Derisa zyrtarët kinezë kanë pranuar se ende nuk ka një përgjigje përfundimtare se nga e kishte origjinën sëmundja, shumica e ekspertëve besojnë se koronavirusi e ka origjinën në një treg të kafshëve të egra në Vuhan.

Zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, përfshirë Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, kanë shprehur vazhdimisht zhgënjime me Kinën. Pompeo javën e kaluar kërkoi që qeveria të shpjegonte se çfarë ndodhi.

Ai tha në një intervistë më 29 prill se Partia Komuniste Kineze "nuk ka qenë e hapur".

Pompeo në intervistën për Fox News vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara e dinë se mjekët që raportuan për shpërthimin nuk ishin në gjendje të flisnin lirshëm dhe qeveria kineze dëboi gazetarët amerikanë.

"Ne e dimë që ata janë përpjekur ta mbulojnë këtë", tha ai.

Ai shtoi se është e rëndësishme të kuptojmë saktësisht se nga erdhi virusi "në mënyrë që të parandalojmë që diçka të tillë të ndodhë përsëri".

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat