Disa qytete amerikane dhe botërore fillojnë rihapjen

Amerika

Disa qytete amerikane dhe botërore fillojnë rihapjen

Më: 3 maj 2020 Në ora: 16:43
SHBA

Presidenti Trump po e kalon këtë fundjavë në vendpushimin “Camp David” në Meriland, ndërsa qytete amerikane dhe ndërkombëtare fillojnë të rihapen pasë disa javësh izolimi si rezultat i koronavirusit. Statistikat e fundit tregojnë Belgjikën si vendin me vdekjet më të shumta ndërsa Rusia dhe Pakistani po ashtu njoftuan lajme të zymta brenda natës.

Aeroplanët e Forcave Ajrore “Thunderbirds” dhe “Blue Angles” të Marinës fluturuan mbi qiejt e Uashingtonit, Baltimores dhe Atlantës në mbështetje të punonjësve të shëndetësisë dhe atyre të domosdoshëm.

Ndërsa në mbarë vendin vazhdojnë thirrjet për dhënien fund të mbylljes. Barbara është një pensioniste 74 vjeçare në Kaliforni.

“Dëmi që po i bëhet vendit dhe këtij shteti është më i rëndë se sa virusi.”

Në autostradat e Merilandit, shoferët protestojnë për hapjen e shtetit fqinj me Uashingtonin.

Presidenti shprehu pajtimin para nisjes së tij për në vendpushimin “Camp David” që ndodhet në atë shtet.

“Dua hapjen e shteteve. Ato do të hapen shpejt dhe të sigurta, sepse duhet të rikthehemi në punë.”

Kjo prirje po përhapet ngadalë dhe me kujdes në mbarë botën. Në Spanjë njerëzit kanë filluar të bashkohen për herë të parë në shtatë javë. Italia po planifikon heqjen e disa kufizimeve të hënën, pas dy muajsh izolimi.

Në shkallë ndërkombëtare, Belgjika ka njoftuar vdekjet më të shumta për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Spanja, Italia, Britania dhe Franca.

Ndërsa numri më i madh i rasteve të konfirmuara janë në Spanjë, e ndjekur nga Belgjika, Irlanda, Amerika dhe Zvicra. Të shtunën, Rusia dhe Pakistani njoftuan shifrat më të larta një ditore të rasteve të konfirmuara.

Kina, vendi ku filloi pandemia, po vazhdon të shikojë një rënie të qëndrueshme të infeksioneve. Presidenti Trump ende po shqyrton tarifat në shenjë hakmarrje.

“Është një situatë e rëndë në 182 vende të botës. Por do të kemi shumë për të thënë lidhur me këtë. Sigurisht është një alternativë.”

Ndërkohë, bota ndodhet në një fazë të re të pandemisë, ndërsa njerëzit ushtrojnë të drejtat e tyre në një botë të ndryshuar ku matet distanca e sigurisë./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat