Sekretari Pompeo nuk thotë përse u shkarkua Inspektori i Përgjithshëm - Bota Sot
Sekretari Pompeo nuk thotë përse u shkarkua Inspektori i Përgjithshëm

Amerika

Sekretari Pompeo nuk thotë përse u shkarkua Inspektori i Përgjithshëm

Më: 21 maj 2020 Në ora: 17:56
Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Mike Pompeo gjatë konferencës për shtyp

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo pranoi se ai i kërkoi Presidentit Donald Trump që të shkarkonte Inspektorin e Përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, por mohoi se ishte një hakmarrjeje për hetimin e inspektorit ndaj tij. Ligjvënësit demokratë dhe Akademia Amerikane e Diplomacisë e shohin shkarkimin si një model shqetësues në administratën Trump.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u përball me pyetjet e gazetarëve të mërkurën për pushimin nga detyra të mbikëqyrësit të brendshëm të agjencisë së tij, Inspektorin e Përgjithshëm Steve Linick.

"Në këtë rast, unë i rekomandova presidentit që Steve Linick të shkarkohet. Sinqerisht, duhej ta kisha bërë kohë më parë ", tha Sekretari Pompeo.

Image
Steve Linick duke shkuar për një seancë dëgjimore në Kongres

Në media u shfaqën njoftimet se Inspektori i Përgjithshëm Linick ishte duke hetuar Sekretarin Pompeo për përdorimin e ndihmësve të Departamentit të Shtetit për të kryer veprime personale për Sekretarin e Shtetit dhe gruan e tij që shpesh e shoqëron në udhëtime jashtë vendit.

Sekretari Pompeo i quajti raportet "një çmenduri" dhe mohoi me forcë që shkarkimi të ishte hakmarrje.

"Le të jemi të qartë, ka pretendime se kjo ishte për hakmarrje, për disa hetime në të cilat ishte angazhuar zyra e Inspektorit të Përgjithshëm këtu. Kjo është me të vërtetë e rreme", tha Sekretari Pompeo.

Sekretari Pompeo nuk pranoi të përgjigjej përse zoti Linick meritonte shkarkimin.

Ligjvënësit demokratë thonë se zoti Linick po hetonte gjithashtu se si Sekretari Pompeo mundësoi një shitje armësh për Arabinë Saudite prej shtatë miliardë dollarësh vitin e kaluar, duke përdorur një deklaratë emergjence për të anashkaluar Kongresin.

Image
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi

"Kongresi miratoi një ligj për shitjet në Arabinë Saudite, shitjen e armëve në Arabinë Saudite, dhe në atë departament (Departamentin e Shtetit) deklaruan një emergjencë të rreme për të filluar shitjet; pastaj kjo mund të jetë bërë pjesë e hetimit", tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Zonja Pelosi tha se Presidenti Donald Trump po dëmtonte demokracinë amerikane duke shkarkuar kohët e fundit katër inspektorë të përgjithshëm. Ajo vuri në dukje se këto pozicione u krijuan pas skandalit Watergate të vitit 1970 për të ekspozuar shpërdorimet, mashtrimet dhe abuzimet.

Presidenti i Akademisë Amerikane të Diplomacisë i tha Zërit të Amerikës se është dakort.

“… Ky largim, i njërit prej katër inspektorëve të përgjithshëm, është pjesë e një çështjeje më të madhe, që është se administrata po sfidon balancën e fuqive në Kushtetutë dhe aftësinë e Kongresit për të kryer punën e vet. Por, është Kongresi ai që duhet dhe ka fuqinë për ta rregulluar këtë ekuilibër, nëse dëshiron”, tha zoti Neumann.

Sekretari Pompeo u largua nga konferenca për shtyp ndërsa një gazetar u përpoq të pyeste për një hetim të Inspektorit të Përgjithshëm të marrëveshjes së armëve të vitit të kaluar me Arabinë Saudite. Sidoqoftë, Sekretari Pompeo ka të ngjarë të përballet me më shumë pyetje në të ardhmen - ndoshta në Kongres./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat