Në kaosin e virusit, disa gjejnë ngushëllim duke ndihmuar të tjerët - Bota Sot
Në kaosin e virusit, disa gjejnë ngushëllim duke ndihmuar të tjerët

Amerika

Në kaosin e virusit, disa gjejnë ngushëllim duke ndihmuar të tjerët

Më: 23 maj 2020 Në ora: 07:14
Ilustrim

Në prill, ndërsa koronavirusi po shkatërronte Nju Jorkun, Susan Jones mësoi se vëllai i saj i madh ishte diagnostikuar me kancer në gjak.

Menaxheri i i tij në punë krijoi një faqe GoFundMe për të ndihmuar me kostot, dhe Jones e ndau atë në Facebook me miqtë e saj. Ajo që ndodhi më pas e mahniti.

Ndërsa Jones, e cila punon si mjeshtre baleti në Teatrin e Baletit Amerikan, ishte e bindur se miqtë e saj më të afërt do të ndihmonin, ajo u habit të shihte një numër kolegësh - disa që as nuk i njihte aq mirë, dhe as nuk e dinin që ajo kishte vëlla,të dhuronin kontribute përkundër sfidave të tyre ekonomike në një komunitet profesionistësh në vështirësi.


Jones filloi të pyeste veten: A do të ishte përgjigja e njëjtë vetëm dy muaj më parë, para pandemisë? Ajo është mjaft e sigurt se nuk do të ishte kështu. Përkundrazi, ajo mendon se instinkti për të ndihmuar tregon, së bashku me mirësinë e thjeshtë, se si njerëzit po përpiqen të sjellin ndryshime. Në një kohë dobësie, thotë ajo, ndihma për të tjerët lë një shenjë në një botë që duket se po na mërzit të gjithë ne.

"Njerëzit kudo janë duke u përpjekur të mbajnë jetët e tyre në kontroll, duke u kapur fort tek çdo gjë që munden për të ruajtur vlerat e tyre," thotë Jones.

Ideja se të ndihmosh të tjerët të bën të ndjehesh mirë nuk është vetëm një e vërtetë anekdodë, por një ide e mbështetur nga studimet, thotë Laurie Santos, profesore e psikologjisë në Universitetin Yale dhe mësuese e kursit më të njohur të këtij universiteti deri më sot: "Psikologjia dhe jeta e mirë".

"Intuita që të ndihmosh të tjerët është çelësi i mirëqenies sonë tani mbështetet nga shkenca," thotë Santos. "Ka shumë hulumtime që tregojnë se harxhimi i kohës dhe parave tona për njerëzit e tjerë shpesh mund të na bëjë më të lumtur sesa të shpenzojmë të njëjtën kohë ose para për veten tonë."


"Të harxhosh kohë për të bërë diçka të mirë për dikë tjetër," thotë ajo, "është një strategji e fuqishme për të përmirësuar mirëqenien tonë."

Ditët e fundit, Damien Escobar, një violinist bashkëkohor në Nju Jork, koncertet e së cilit janë anuluar nga pandemia, po shkonte drejt një farmacie në lagje kur pa një të pastrehë që lypte jashtë.

Escobar kërkoi nëpër xhepa dhe gjeti një apo dy dollarë para se të kuptonte se ajo që kërkonte me të vërtetë ai ishte: një maskë, në mënyrë që të mund të hynte në dyqan dhe të blinte ujë dhe sende të domosdoshme.

"Kjo më habiti", thotë Escobar, 33 vjeç, i cili vetë ka qënë i pastrehë më pak se një dekadë më parë, kur flinte në metro. Ai gjithashtu zbuloi se punonjësit në një garazh parkimi aty pranë po kërkonin maska rezervë.

"Kishte një nevojë të madhe këtu për maska," thotë ai. Ai tashmë u ka siguruar pajisje mbrojtëse punonjësve të vijës së parë, duke mbledhur 50,000 dollarë nga një koncert bamirësie, por tani është përqendruar në një fushatë të re, "Maska për masat", për të siguruar maska për të pastrehët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

Escobar është i qartë për përfitimet, jo vetëm për ata që pranojnë ndihmat e tij, por edhe për atë vetë.

"Unë jam në të vërtetë i papunë. I fitoj paratë e mia në rrugë. Nëse nuk do ta bëja këtë, me siguri do të kisha ngelur në shtëpi duke luftuar me depresionin," thotë ai. "Është një shprehje që thotë se sapo të dalësh nga bota jote dhe të hysh në botën e dikujt tjetër, problemet tuaja nuk ekzistojnë më."

Në punën e saj, psikologia Catherine Lewis shpesh ka parë që njerëzit janë më të lumtur kur mund të ndërmarrin veprime për të ndihmuar të tjerët.

"Në punën me traumat, ne e dimë se njerëzit që kanë rezultate të mira janë ata që bëjnë diçka - mobilizohen, luftojnë përsëri", thotë ajo. "Pjesa më e vështirë është kur ndihesh i bllokuar, i mbyllur, i ngrirë".

Kur goditi pandemia, Blake Ross, një nënë 37-vjeçare e një vogëlusheje në Nju Jork, po testonte ujërat për tu rikthyer përsëri në tregun e punës - në fushën e programimit të ngjarjeve. Gjatë kohës jashtë tregut të punës, ajo shijoi shoqërinë e nënave të tjera të reja. Si shumë banorë të tjerë të Manhatanit, ishte dendësia e qytetit që sillte kënaqësi për të.

Papritmas "gjithçka u shndërrua, shumë shpejt". Ross nuk ishte e sigurtë se si ajo mund të mbetej e lidhur me botën - jo vetëm me miqtë dhe familjen, por edhe me njerëzit që ajo nuk i njihte, ato takime të rastësishme të fatit që e bëjnë jetën e qytetit tërheqës për shumë njerëz. Papritur i lindi ideja e një faqeje elektronike për të lidhur njerëzit që duan të ndihmojnë, me ata që kanë nevojë për ndihmë.

Ajo e quajti faqen e saj "Mirësia e të huajve". Rreth 500 njerëz nga Nju Jorku dhe e gjithë bota janë regjistruar.

Ross hyri në partneritet me Enlivant, i cili drejton shtëpi të azileve në 20 shtete dhe ka krijuar një program të titulluar birëso një gjysh apo gjyshe.

"Thelbi i vullnetarizmit është të ndjehesh shumë mirë pasi ndihmon," thotë Ross. "Me siguri që merr aq sa jep".

Ka shumë nisma të tilla, nga ato më të organizuarat e deri tek shenja të thjeshta të vendosura në ashensorët e apartamenteve.

"Sigurisht që individët dhe disa organizata jofitimprurëse po dalin përpara për të ndihmuar," thotë Marcia Stepanek, një profesore në Programin e Menaxhimit Jofitimprurës në Universitetin Kolumbia. Por, për pjesën më të madhe, thotë ajo, sondazhet e fundit të organizatave jofitimprurëse tregojnë se donacionet po bien në mënyrë të vrazhdë sepse donatorët janë "të shqetësuar për ekonominë, si dhe tregun e punës".

"COVID-19 po e shndërron sektorin," thotë ajo.

Sidoqoftë, shumë individë po gjejnë, në procesin e dhënies së ndihmës për të tjerët, jo vetëm kënaqësinë dhe qëllimin për jetën, por edhe një mjet për të pohuar identitetin e tyre. Kështu e sheh Jones, mjeshtrja e baletit. Miqtë dhe kolegët e saj kanë kontribuar afro 6,000 dollarë për kujdesin për vëllain e saj.
"Ky virus na ka grabitur identitetin tonë," thotë ajo. Dhënia, thotë ajo, "na bën jp vetëm që të ndjehemi të përfshirë, por na jep një lloj identiteti të ri".

Ajo shton: "Ndihem thellësisht e prekur që jam në anën e pranimit të kësaj ndihme"./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat