Mjekët e papunë në SHBA si pasojë e COVID-19 - Bota Sot
Mjekët e papunë në SHBA si pasojë e COVID-19

Amerika

Mjekët e papunë në SHBA si pasojë e COVID-19

Më: 25 maj 2020 Në ora: 15:31
Ilustrim

Shtetet e Bashkuara janë duke u rihapur ngadalë, shtet pas shteti, duke i dhënë fund bllokimeve të imponuara për të luftuar koronavirusin. Pandemia ka vrarë shumë sektorë të ekonomisë, përfshirë industrinë shëndetësore të ngarkuar rëndë me shpëtimin e jetëve të njerëzve gjatë krizës. Pasojat për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe ata që mbështeten tek ta mund të zgjasin edhe pasi koronavirusi të vihet nën kontroll. Korrespondentja Carolyn Presutti e Zërit të Amerikës sjell historinë e një mjeku që doli vullnetar për të punuar në epiqendrën COVID-19 në Amerikë - dhe që tani është i papunë.

Dr. Mike Wilson është kthyer në shtëpinë e tij në Teksas në detyrën e të qënurit baba… i shtatë fëmijëve.

Është shumë ndryshe nga muaji i kaluar kur ai shërbeu si drejtor mjekësor i këtij spitali të improvizuar të Nju Jorkut. Ai fillimisht foli me Zërit të Amerikës kur ishte duke punuar pesë javë pa ndërprerje.

“Është dita e 22-të me 14 orë punë pa asnjë ditë pushimi.”

Kur numri i rasteve të koronavirusit ra në Nju Jork, Dr Wilson u kthye në shtëpi në grupin e tij të spitalit në Teksas - dhe e gjeti veten të papunë.

"Ekziston një mungesë e pacientëve për t'u parë, prandaj nuk kanë nevojë për stafin. Kështu që, infermierët dhe mjekët në të gjithë vendin janë pushuar ose janë pezulluar nga puna", thotë dr Wilson.

Në prill - në kulmin e pandemisë - industria private e kujdesit shëndetësor të Amerikës pushoi 1.4 milion punëtorë. Ja si ndodhi.

Kur goditi pandemia, spitalet anuluan operacionet fitimprurëse për të bërë vend për pacientët me COVID. Spitalet më të vogla, që ishin në vështirësi financiare, u shtynë në prag të falimentimit. Për më tepër, pranimet në dhomat e urgjencave ranë ndjeshëm pasi amerikanët kishin frikë të hynin në objektet që trajtonin pacientët me COVID-19.

Dr Ruchita Gandhi trajtoi një paciente me goditje në tru, e cila vonoi të shkonte në dhomën e urgjencës deri sa të ishte vonë.

"Pamë një mpiksje që ishte masive, dhe të gjithë ne patëm një sens të tmerrshëm... Ky është një nga rastet në të cilin me të vërtetë mund të kishim ndikuar shumë. Kjo grua, nëse do të kishte ardhur brenda 24 orësh, me siguri do të kishte shpëtuar".

Me pacientët që shmangin dhomat e urgjencave dhe rënien e të ardhurave, spitalet ulin stafin. Disa spitale rurale tani operojnë me një ose dy mjekë në dhomën e urgjencës.

Dr. K. Kay Moody ka themeluar EMDOCS, një grup prej 23,000 mjekësh të emergjencës. Ajo thotë se ata rrezikojnë të pushohen nga puna nëse ankohen se objektet e tyre nuk kanë stafin e duhur.
"Nëse ka një grumbull pacientësh jashtë spitalit, ne kemi nevojë për njerëz. Ne nuk e dimë se kur do të ndodhë rritja e nurmit. Nuk e dimë kur do të ndodhin urgjencat. Kështu që ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm".

Dr Moody thotë se spitalet e Amerikës janë përballur gjithmonë me stuhi financiare, por tani ata po luftojnë një uragan.

"Kjo është bërë një industri dhe nuk duhet të jetë e tillë. Ajo duhet të ketë në qendër kujdesin e një njeriu për një tjetër".

Fatura e ndihmës prej 2 trilion dollarësh e miratuar në mars siguroi 100 miliard dollarë dollarë për spitalet që të kompensonin të ardhurat e humbura.

Por kjo nuk e ka ndihmuar Dr. Wilson, i cili po e rifreskon rezymen e tij për herë të parë në shumë vite./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat