SHBA/ Arrin në 40.7 milionë numri i kërkesave për pëfitimet e papunësisë - Bota Sot
SHBA/ Arrin në 40.7 milionë numri i kërkesave për pëfitimet e papunësisë

Amerika

SHBA/ Arrin në 40.7 milionë numri i kërkesave për pëfitimet e papunësisë

Më: 29 maj 2020 Në ora: 06:44
Ilustrim

Aplikimet për të marrë përfitimet e papunësisë në Shtetet e Bashkuara shënuan rënie përsëri në javën e kaluar, thuhet në raportin e Departamentit të Punës të publikuar të enjten, ndërsa disa punëdhënës filluan të rihapin bizneset që i mbyllën për shkak të masave kufizuese ndaj pandemisë së koronavirusit. Megjithatë, 2.1 milionë njerëz të tjerë aplikuan për të marrë përfitimet e papunësisë pasi u pushuan nga puna. Bizneset vazhdojnë të pushojnë njerëz nga puna për shkak të rënies së kërkesave për produkdet ose shërbimet e tyre për shkak të pamdemisë së koronavirusit.

Në përgjithësi, që nga mesi i marsit, 40.7 milionë punëtorë kanë aplikuar për të marrë përfitimet e papunësisë, gati një e katërta e fuqisë punëtore amerikane, që përbëhet nga më shumë se 164 milionë vetë. Megjithatë, numri i tanishëm i njerëzve të papunë nuk është i qartë pasi një pjesë e atyre që kanë aplikuar për të marrë përfitimet e papunësisë në javët e mëparshme, tani janë thirrur përsëri në punë nga punëdhënësit e tyre. Guvernatorët e 50 shteteve kanë filluar të lehtësojnë masat kufizuese duke lejuar hapjen e bizneseve.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara arriti në 100,000 të mërkurën dhe ekspertët e shëndetësisë parashikojnë se dhjetra mijëra të tjerë do të vdesin në muajt e ardhshëm. Por Presidenti Donald Trump, i cili pritet të përballet me ish Nënpresidentin Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, po parashikon një rimëkëmbje të fortë ekonomike të vendit. “Shtetet duhet të hapen sa më shpejt që të jetë e mundur,” tha Presidenti Trump në Twitter këtë javë ndërsa tregjet e aksioneve shënuan rritje të ndjeshme. “Tranzicioni në rritje të madhe filloi përpara afatit. Do të ketë ulje-ngritje, por viti i ardhshëm do të jetë një nga më të mirët! ”

Por koronavirusi ka pasur një efekt të madh në ekonominë amerikane, me 27 kompani që tashmë kanë dorëzuar aplikacionet e falimentimit në maj dhe disa kompani të tjera që tashmë kanë njoftuar mbylljen e përhershme. Shkalla zyrtare e papunësisë në prill ishte 14.7 për qind, dhe këshilltarët ekonomikë të Presidentit Trump pranuan se shifra e majit, kur ajo të shpallet në fillim të qershorit, ka të ngjarë të jetë 20 për qind ose më e lartë. Ata thonë se shkalla e papunësisë mund të qëndrojë në nivelin dyshifror deri në ditën e zgjedhjeve më 3 nëntor dhe mund të jetë në nivelin rreth 10 për qind në fund të vitit 2021.

Qeveria në fillim tha se ekonomia e vendit shënoi rënie me nivel 4,8 për qind në tremujorin e parë, por ky vlerësim ishte bërë para se të dihej ndikimi i plotë i pandemisë. Ajo ngriti në 5 për qind nivelin e rënies të enjten dhe ekonomistët presin një rënie të mëtejshme në tremujorin prill-qershor. Larry Kudlow, drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, i tha gazetës Washington Post së fundmi se ekzistojnë disa “shkëndija të vogla shprese” në lidhje me ekonominë. Por ai gjithashtu pranoi vështirësitë e vazhdueshme që pandemia e koronavirusit po paraqet për ekonominë më të madhe të botës.

“Është vërtet e vështirë të krijosh një model parashikimi për një virus, një pandemi të parmasave të pa para në 100 vjet,” tha Kudlow. “Shifrat që vijnë nuk janë të mira. Në fakt, ato janë shumë të këqija në shumicën e rasteve. Por ne po shohim disa shkëndija, ndoshta … kemi një situatë shumë të rëndë. Ka shumë vështirësi, vuajtje dhe ankth”. Një numër shtetesh ende kanë në fuqi udhëzimin e distancimit fizik prej të paktën dy metrash midis njerëzve në dyqane dhe disa dyqane të mëdha të shitjes me pakicë u kërkojnë punonjësve dhe klientëve të tyre të veshin maska. Disa guvernatorë janë duke u kërkuar restoranteve që të operojnë me kapacitet të përgjysmuar.

Por, në shtetet e tjera, kufizimet janë hequr në mënyrë të konsiderueshme dhe turmat janë shfaqur shpejt për të rifilluar jetën, duke bërë pazar apo duke shijuar plazhet e Atlantikut dhe Paqësorit, shpesh duke injoruar këshillat e ekspertëve të shëndetësisë për distancim fizik dhe përdorim të maskave. Kryetari i Rezervës Federale Jerome Powell ka paralajmëruar se ekonomia amerikane mund të përballet me një recesion shumë-vjeçar nëse nuk ndahen më shumë fonde për të ndihmuar punonjësit amerikanë. Ai tha se 40 për qind e familjeve amerikane që fitojnë më pak se 40,000 dollarë në vit humbën vendet e tyre të punës në mars.

Por Presidenti Trump dhe ligjvënësit republikanë kanë shprehur hezitim në miratimin e një pakete tjetër financiare nga qeveria për kornoavirusin, deri sa të shihen efektet e ndihmës ekonomike tashmë të miratuar. Punëtorët amerikanë që apikojnë për të marrë përfitimet e papunësisë normalisht paguhen pak më pak se gjysma e pagave të tyre normale. Por këto pagesa aktualisht janë duke u shtuar gjatë pandemisë me një shumë prej 600 dollarësh në javë nga qeveria federale për katër muaj, deri në korrik.

Kulmi i aplikimeve për të marrë përfitimet e papunësisë ka të ngjarë të ketë arritur në fund të marsit me 6.9 milionë kërkesa të dorëzuara. Ritmi i përjavshëm i aplikimeve për përfitimet e papunësisë ka shënuar rënie në 10 javët e fundit, por miliona kërkesat për të marrë përfitimet e papunësisë janë akoma të pashembullta në historinë dhjetra vjeçare ekonomike të Shteteve të Bashkuara, që nga periudha e Depresionit të Madh të viteve 1930. Numri i aplikimeve për përfitimet e papunsisë ka tejkaluar ndjeshëm ato recesionit të madh në vitet 2008-2009./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat