Arrest dhe akuza për vrasje me paramendim të gradës së tretë për policin Derek Chauvin

Amerika

Arrest dhe akuza për vrasje me paramendim të gradës së tretë për policin Derek Chauvin

Më: 30 maj 2020 Në ora: 07:48
Derek Chauvin

Një ndër katër policët e përfshirë në arrestimin e George Floyd, një 46-vjeçar afrikano-amerikan i cili vdiq pas arrestit të hënën në Minesota, është arrestuar dhe është tani akuzuar për vrasje me paramendim të gradës së tretë, si dhe vrasje pa paramendim.

Oficeri Derek Chauvin është polici që shihet në videon e xhiruar nga një kalimtar, duke mbajtur gjurin në qafën e viktimës, ndërkohë që George Floyd dëgjohet duke u ankuar se nuk merr dot frymë. Videoja vazhdon mbi pesë minuta, kur George Floyd është i shtrirë përtokë dhe oficeri Derek Chauvin vazhdon ta mbajë nën kontroll me gjurin në qafë.

Dhimbje dhe Revoltim në​ Mineapolis

Qyteti i Minesotës është përfshirë nga trazirat, ndërkohë që autoritetet kanë thirrur Gardën Kombëtare për të ruajtur rendin, pas natës së të enjtes që u shoqërua me protesta të dhunshme të ndezura nga vdekja e 46-vjeçarit George Floyd.

Ky rast ka tërhequr vëmendjen e mbarë vendit si dhe vëmendje ndërkombëtare dhe ka rindezur debatin për trajtimin e personave me ngjyrë në SHBA. Demonstratat tani janë përhapur në qytete të ndryshme amerikane.

Në Mineapolis protestuesit shfrynë revoltimin të enjten duke u vurë zjarrin një stacioni policor dhe disa bizneseve. Demonstruesit thyen dritare biznesesh, në shenjë indinjate për vdekjen e George Floyd. Disa nga banorët e zonës së dëmtuar u shprehën me kritika për reagimin e policisë, por gjithashtu thanë se nuk e kuptonin përse njerëzit po shkatërronin lagjen e tyre, përfshirë dyqanet ku përmbushnin nevojat e përditshme.

Trariza përfshinë edhe qytetin Seint Pol, jo larg Mineapolisit, ku autoritetet thanë se policët u qëlluan me gurë dhe shishe. Protesta pati edhe në qytete të tjera, përfshirë Nju Jork dhe Albakërki të Nju Meksikos. Në një protestë pranë selisë legjislative shtetërore në Denver të Kolorados u dëgjua një e shtënë me armë zjarri. Një video e postuar në Twitter tregon një makinë fuoristrada që shpejton në drejtim të turmës duke goditur një nga protestuesit.

Vdekja e George Floyd

"Të lutem, të lutem, të lutem, nuk mund të marr frymë. Të lutem, o burrë”, u përgjërua Floyd, ndërsa mbahej nga një polic i bardhë. Sipas videove të celularit, oficeri e mbante Floyd-in në tokë me gjurin në qafë. Floyd ishte ndërkohë me pranga.

Oficeri që e vuri në pranga George Floyd-in i thoshte të “qetësohej”, por oficeri nuk ia hoqi gjurin nga qafa edhe pasi Floyd pushoi së lëvizuri. Një dëshmitar tha se ai dëgjoi Floyd-in duke thirrur për nënën e tij para se të pushonte lëvizjet dhe duket se humbet ndjenjat.

Xhirimi vazhdon për disa minuta dhe tregon Floyd të shtrirë përtokë, me kokën mënjanë. Ai nuk shihet duke rezistuar. Nga fundi i videos mbërrin ambulanca, ekipi mjekësor ngre trupin e lëshuar të George Floyd, i cili nuk reagon më dhe nuk jep shenja jete, e vendos në barrelë dhe më pas në ambulancë. Autoritetet u thanë gazetarëve më pas se George Floyd vdiq në spital.

"Ai nuk po rezistonte në mënyrë aktive dhe po thoshte se nuk mund të merrte frymë," tha Charles P. Stephenson, një ish-oficer policie dhe ish-agjent i FBI-së me ekspertizë në taktikat e përdorimit të forcës, i cituar nga Associated Press. "Ata duhet ta mendonin se ekzistonte mundësia (që Floyd nuk mund të merrte frymë), dhe të lironin menjëherë, të eliminonin çdo lloj kufizimi në rrugët e frymëmarrjes".

Policia e Mineapolisit thotë se Floyd ngjasonte me përshkrimin për një të dyshuar që kishte paguar në një dyqan ushqimesh me një kartmonedhë 20 dollarëshe fallso. Policia thotë se ai rezistoi gjatë arrestimit. Kalimtarët e xhiruan skenën me celular ndërkohë që katër policët e ndaluan George Floyd.

Dhimbje dhe Zemërim

Kryebashkiaku i Mineapolisit, Jacob Frey, tha të premten në mëngjes se qyteti “është i mbushur me dhimbje dhe zemërim” por shtoi se plaçkitjet dhe vandalizmi në përgjigje të vdekjes së George Floyd-it është “i papranueshëm”.

Zoti Frey tha se pronat e dëmtuara, përfshirë stacionin policor janë objekte “me rëndësi jetike për komunitetin”. Ai tha se kishte vendosur të lejonte djegien e stacionit policor, pasi kishte mësuar se protestuesit po përpiqeshin të futeshin brenda. Personeli u evakuua nga ndërtesa para se t’i vihej zjarri së bashku me disa ndërtesa të tjera në zonë. “Tullat e muret nuk janë aq të rëndësishme sa jeta e njerëzve,” tha zoti Frey. “Do të vazhdojmë punën”.

Kryebashkiaku Frey gjithashtu iu përgjigj postimeve të Presidentit Trump në Twitter, ku ai thoshte se pas “mungesës së plotë të udhëheqjes” nga Frey, “ose ky politikan i dobët i së majtës të veprojë si duhet, ose do të dërgoj ushtrinë” sepse halabakët “po përdhosnin kujtimin e George Floyd”.

Pasi gazetarët i lexuan postimet e Presidentit Trump, kryebashkiaku Frey tha se “Donald Trumpi nuk di asgjë për forcën e Mineapolisit”.

Më pas Twitteri vuri një shenjë paralajmërimi pranë komentit të presidentit me fjalën “halabakë”. Në një mesazh kompania shkruan “Ky postim shkel rregullat e Twitterit duke lavdëruar dhunën. Megjithatë, Twitteri ka vendosur se është në interesin publik që ky postim të mbetet i disponueshëm”.

Shtëpia e Bardhë tha më pas se presidenti nuk kishte lavdëruar dhunën, por e kishte dënuar atë.

Hetime

FBI-ja ka bashkuar forcat me policinë e Mineapolisit dhe zyrën e hetimeve të komunës për të zbuluar faktet e çështjet.

Sindikata e policëve të qytetit i ka kërkuar publikut të presë për përfundimin e hetimit para se “të nguten me përfundime për të dënuar policët”.

Ndërkaq, një ekip televiziv i rrjetit CNN u arrestua në Mineapolis të premten në mëngjes.

Gazetari Omar Jimenez, i cili është afrikano-amerikan, u arrestua ndërsa transmetonte drejtpërdrejt. Kamera kapi momentet kur policët ndërpresin transmetimin, ndërsa dëgjohet gazetari duke pyetur policët përse po e arrestojnë. Edhe producenti dhe ndihmësi i tij arrestohen ndërkohë që vazhdon transmetimi drejtpërdrejt.

Rrjeti CNN thotë se Guvernatori i Minesotës ka kërkuar ndjesë, por jo policët. Ekipi televiziv u lirua pasi u konfirmua se ishin gazetarë.

Fjalët e Floyd pak para vdekjes “Nuk marr dot frymë” bënë që menjëherë të sillej në kujtesë Eric Garner, një tjetër afrikano-amerikan i paarmatosur i cili vdiq në 2014 kur një polic i bardhë e kishte shtrënguar me krahun rreth qafës, ndërsa ai lutej për jetën. Edhe ai i lutej policit që ta lëshonte sepse “nuk marr dot frymë”, një shprehje që është bërë simbol kombëtar i protestës kundër brutalitetit policor.

Policët kanë mënyra të ndryshme për të ndalur të dyshuarit. Asnjë akademi policere nuk i mëson rekrutët “të përdorin gjurin apo të mbajnë të mbërthyer dikë duke i shtrënguar me krah rrotull qafës,” thotë për agjencinë Associated Press Chuck Wexler, drejtor ekzekutiv i Forumit për Kërkime Policore, një organizatë që analizon dhe këshillon mbi praktikat e forcave të rendit.

“Nuk mësohen taktika të tilla pasi ato mund të pengojnë frymarrjen dhe të bllokojnë arterien karotike që ushqen trurin. Ajo video është shokuese,” thotë zoti Wexler.

Vdekja e George Floyd ka tërhequr edhe vëmendje ndërkombëtare.

Kritika për Dhunimin e të Drejtave të Njeriut

Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, tha se autoritetet amerikane kanë për detyrë të sigurohen që do të bëhet drejtësi, pasi ajo lexoi listën e burrave afrikano-amerikanë që kanë humbur jetën në paraburgimin e policisë amerikane gjatë viteve të fundit.

"Në shumë raste në të kaluarën, hetime të tilla i kanë konsideruar vrasjet të arsyeshme mbi baza të dyshimta, ose janë vendosur vetëm masa administrative," tha ajo.

Vëllai i Floydit, Philonise Floyd, i tha kanalit CNN të enjten se ai është "lodhur duke parë afrikano-amerikanë që vdesin" dhe u bëri thirrje protestuesve të ruajnë paqen. Ai i bëri thirrje policisë "të filloni të bëni punën tuaj në mënyrën e duhur, sepse unë nuk e kam parë këtë. ... dua drejtësi. Unë thjesht dua drejtësi", tha ai, duke u munduar të mbante lotët.

Revoltim i Grumbulluar

Kryebashkiaku Frey tha të enjten se reagimi i dhunshëm ndaj vdekjes së Floyd-it është "rezultat i zemërimit dhe trishtimit kaq shumë të akumuluar ... që ka penetruar në komunitetin tonë afrikano-amerikan, jo vetëm për shkak të pesë minutave të tmerrit, por për 400 vjet", - një referencë kjo për skllavërinë dhe racizmin që e pasoi.

Zoti Frey është i bardhë, dhe qyteti që ai drejton është rreth 64 përqind i bardhë, sipas Censusit të Shteteve të Bashkuara. Vetëm rreth 19 përqind e banorëve të qytetit janë afrikano-amerikanë.

Vdekja e Floydit vjen disa javë pasi tre persona u akuzuan për sulmin me vdekjeprurës me armë zjarri në shtetin Xhorxhia, të Ahmaud Arbery-it. Afrikano-amerikani aludohet se u vra në shkurt nga një ish-polic i bardhë i komunës Glynn dhe djali i tij, i cili me sa duket e mori gabimisht për një hajdut ndërsa ai bënte vrap. Të dy u akuzuan vetëm pasi një video nga incidenti u shfaq disa javë më vonë. Akuza u ngritën edhe ndaj personit që kishte filmuar skenën e incidentit./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat