Akuza dhe kërcënime për situatën në Siatëll

Amerika

Akuza dhe kërcënime për situatën në Siatëll

Më: 13 qershor 2020 Në ora: 07:02
Ilustrim

Pas protestave disa ditëshe me dhunë, policia në qytetin Siatëll është tërhequr pothuajse plotësisht nga një zonë ku protestuesit kanë krijuar një skenë të ngjashme me një festival publik. Këto skena janë komentuar me irritim të madh nga Presidenti Trump.

Presidenti Trump kritikoi dhe talli Guvernatorin e shtetit Uashington taunted Jay Inslee dhe Kryebashkiaken Jenny Durkan përmes komenteve në Twitter duke thënë se qytetin e kanë marrë në dorë “anarkistët”. “Merrni nën kontroll qytetin TANI. Nëse nuk e bëni ju, do ta bëj unë,” shkruante presidenti. Presidenti vazhdoi të enjten të shprehte kundërshtitë e tij ndaj situatës gjatë një interviste me kanalin Fox News. “Nëse kërkohet që ne të ndërhyjmë, do të ndërhyjmë. Ata individë nuk do të lejohen të mbajnë të pushtuar një pjesë të një qyteti të madh”.

“Zona Autonome e Kodrës së Kapitolit” siç e kanë pagëzuar protestuesit zonën u krijua të hënën pasi policia hoqi barrikadat pranë Repartit Policor për pjesën lindore të qytetit. Presidenti ka pasur përplasje edhe më parë me kryebashkiaken e Siatëllit dhe guvernatorin e shtetit Uashington, të dy demokratë. Guvernatori Inslee, ish-kandidat për president, komentoi të enjten në Twitter se zyrtarët e Uashingtonit nuk do të lejojnë kërcënime për përdorimin e forcës nga Shtëpia e Bardhë. “Ushtria shërben për të mbrojtur amerikanët, jo për t’i shërbyer dobësive të një presidenti të pasigurtë,” shkruante ai.

Zona e zaptuar nga protestuesit shtrihet nga një pjesë e Kodrës së Kapitolit ku dhjetëra njerëz mblidhen për të dëgjuar ata që e marrin fjalën me thirrjet për reforma policore, drejtësi racore dhe kompensim për popullatën indigjene mbi tokën e të cilëve u krijua Siatëlli. Protestuesit mbajnë pankarta me fjalët “Po futeni në token e lirë të Kodrës së Kapitolit”. Të enjten, folësit përdorën mikrofonë në një diskutim mbi kërkesat e tyre dhe reagimin ndaj pranisë policore. “Njerëzit që kanë mbledhur këtu, kanë ardhur pasi shohin padrejtësi në sistem dhe duan zgjidhje,” thotë Mark Henry Jr. me lëvizjen “Black Lives Matter” – Jetët e Afrikano-Amerikanëve janë të Vyera.

Policia thotë se po analizon forma për rihapjen e repartit policor. Në një konferencë për shtyp të mërkurën, ndihmës shefja e policisë, Deanna Nollette tha se barrikadat që ishin vënë para ndërtesës së repartit policor janë hequr, pasi vënia e tyre ndezi turmën dhe u bë shkas për konfrontim mes protestuesve dhe policisë. Zonja Nollette tha se zona ishte fortifikuar pasi kishte kërcënime të besueshme se do të kishte akte vandalizmi dhe djegie. Ajo nuk dha hollësi të tjera për kërcënimin. Shefja e policisë, Carmen Best postoi një mesazh me video drejtuar policëve të enjten ku ajo tha se vendimi për t’u tërhequr nga ndërtesa e repartit policor nuk ishte marrë prej saj dhe se ajo ishte revoltuar nga ky vendim. Ajo ritheksoi se policët janë sulmuar dhe provokuar nga protestuesit.

Zonja Durkan tha lidhur me deklaratat e presidentit për Siatëllin se zoti Trump nuk do të kuptojë kurrë një gjë, që të dëgjosh shqetësimet e komunitetit nuk është shenjë dobësie, por force. “Një udhëheqës i vërtetë do t’i shihte këto protesta, këtë dhimbje, sidomos në komunitetin afrikano-amerikan, thirrjet për një shoqëri pa racizëm, si një shans për Amerikën, një shans për të ndërtuar një vend më të mirë,” tha ajo. Protestuesit kanë thënë se duan që të ndërtesa e repartit policor të kthehet në qendër komunitare dhe të mos përdoret më nga forcat e rendit.

Anëtarja e këshillit bashkiak, Kshama Sawant hodhi poshtë njoftimet për dhunë dhe provokime në zonë duke thënë se skenat i ngjanin një panairi të hapur, me diskutime politike e interpretime muzikore. “Krahu i djathtë po përhap zëra se po sundon kaosi dhe krimi, por në fakt po ndodh e kundërta,” tha zonja Sawant, një politikane me pikëpamje socialiste dhe kritike e shefes së policisë Durkan./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat