Trump tërheq trupat nga Gjermania - Bota Sot
Trump tërheq trupat nga Gjermania

Amerika

Trump tërheq trupat nga Gjermania

Më: 16 qershor 2020 Në ora: 13:53
Ushtari amerikan

Mbi 9 mijë ushtarë amerikanë do largohen nga bazat ushtarake në Gjermani pas përplasjeve mes Uashingtonit dhe Berlinit rreth buxhetit për NATO-n.

Shtetet e Bashkuara do reduktojnë prezencën ushtarake në Gjermani duke konfirmuar krisje të reja në raportet mes dy aleatëve strategjikë të NATO-s.

Presidenti amerikan, Donald Trump, akuzoi Berlinin se nuk po respekton kuotat e financimit për pjesëmarrjen në aleancën e Atlantikut Verior, që e detyrojnë vendin të shpenzojë deri 2 për qind të prodhimit kombëtar për politikat e mbrojtjes ushtarake.

Gjermania dhe vendet e tjera thonë se do e përmbushin zotimin gjatë 4 viteve të ardhshme.

Me tërheqjen e afro 9,500 mijë ushtarëve amerikanë, do ulet në 25 mijë totali i atyre që janë stacionuar në qytetin gjerman të Shtutgartit, si pjesëtarë të komandës europiane të SHBA-së.

“Gjermania, siç e dini, është shumë vonë me pagesat për NATO-n. Paguan rreth 1 nga 2 për qind që duhet të paguajë, që edhe 2 për qind është shumë e ulët. Pra kanë miliarda dollarë pa paguar kurse ne vazhdojmë t’i mbrojmë. Kjo është e kosto e madhe.”

Kreu i Shtëpisë së Bardhë prej kohësh kërkon nga shtetet anëtare të NATO-s të rritin financimet për buxhetin e mbrojtjes, ndërsa për rastin e Gjermanisë, motiv për konfliktin janë bërë edhe përplasjet për arsye ekonomike dhe tregtare mes dy shteteve.

Ambasadori gjerman në SHBA tha të hënën se trupat amerikane në Europë nuk janë atje për të ruajtur territorin gjerman por për sigurinë transatlantike.

Javën e kaluar, politikanë nga partia e presidentit Trump kërkuan të mos ndërmerren veprime që do minonin aleancën e NATO-s.

Përveç personelit ushtarak, bazat amerikane në Gjermani shërbejnë edhe për mbajtjen e armëve atomike, avionëve e helikopterëve, në rast të sulmeve të mundshme luftarake, por edhe punësojë mijëra civilë amerikanë që kontribuojnë edhe në ekonomitë e zonës.

Pas Gjermanisë që strehon mbi 38 mijë ushtarë amerikanë, në Itali dhe Belgjikë ndodhen 2 nga 7 garnizonet ushtarake që Amerika ka ngritur në Europë. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat