Hakerë të mbështetur nga Kina me objektiv fushatën elektorale Biden - Bota Sot
Hakerë të mbështetur nga Kina me objektiv fushatën elektorale Biden

Amerika

Hakerë të mbështetur nga Kina me objektiv fushatën elektorale Biden

Më: 16 qershor 2020 Në ora: 21:57
Joe Biden

Uashington - Kompania Google njoftoi këtë muaj se hakerë që mbështeten nga Kina u pikasën ndërsa sulmonin anëtarët e stafit të fushatës elektorale të ish-Nënpresidentit Joe Biden.

Gjigandi i internetit tha se hakerët nuk duket se arritën të kompromentojnë sigurinë e fushatës elektorale, por aktiviteti i tyre survejues risjell në vëmendje ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e 2016-tës.

Analistët thonë se motivi kryesor i Kinës për të ndërhyrë në një fushatë elektorale është për të mbledhur informacione zbulimi, si p.sh. idetë e zotit Biden për politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës. Sidoqoftë, hakerët mund të përpiqen më pas që t'i përdorin të dhënat e vjedhura të zbulimit për të ndërhyrë në vazhdim gjatë vetë zhvillimit të fushatës elektorale.

Sipas drejtuesit të Grupit për Analizimin e Kërcënimeve në kompaninë Google, Shane Huntley, lloji i sulmit kategorizohet si një "rrezik i avancuar dhe i vazhdueshëm", një kategori kjo që nënkupton se ka mbështetjen dhe drejtimin e një strukture shtetërore.

Në këtë rast, sipas kompanisë ZDNet, sulmi u krye nga një grupim i njohur si APT31, ose Zirconium, një grup hakerësh të sponsorizuar nga shteti kinez të cilët kanë ushtruar veprimtarinë që në vitin 2016.

Sipas Luke McNamara, drejtues për sigurinë kibernetike në FireEye Intelligence, ky grup ushtron aktivitetin e mbledhjes së të dhënave strategjike të zbulimit për gjëra që i interesojnë qeverisë kineze.

Një zyrtar i Agjensisë amerikane për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën, i tha Zërit të Amerikës se këtë informacion ua kanë dërguar stafeve të fushatave elektorale dhe zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë për t'i parapërgatitur më mirë për sulmet në të ardhmen./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat