Më shumë amerikanë të vdekur nga koronavirusi, sesa në Luftën e Parë Botërore

Amerika

Më shumë amerikanë të vdekur nga koronavirusi, sesa në Luftën e Parë Botërore

Më: 17 qershor 2020 Në ora: 10:26
Foto Ilustrim

Numri i personave të vdekur me koronavirus në Shtetet e Bashkuara ka tejkaluar numrin e ushtarëve amerikanë të vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërkohë që shumë shtete në territorin e SHBA-së regjistrojnë rritje të infektimit.

Numri i viktimave, si pasojë e këtij virusi në SHBA, ka shkuar në mbi 116,900, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Kjo shifër është më e madhe sesa e amerikanëve të vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore, 116, 516 – më shumë se gjysma e tyre nga Gripi Spanjoll.

Megjithatë, shumë biznese në gjithë SHBA-në po vazhdojnë të rihapen, pavarësisht pse rreth 23,000 raste të reja të infektimit raportohen në baza ditore.

Rreth 20 shtete kanë raportuar rritje të numrit të të prekurve në dy javët e fundit, përfshirë, Floridan, Teksasin dhe Arizonan.

Shtimi i rasteve të reja, pjesërisht mund t’i kontribuohet rritjes së numrit të testimeve, por ekspertët shëndetësorë thonë se rritja e shkallës së përhapjes së virusit ka të bëjë edhe me rihapje të ekonomisë.

Presidenti amerikan, Donald Trump vazhdon të jetë i fokusuar në rihapje të ekonomisë dhe insiston se nuk do të ketë mbyllje, edhe pse numri i të prekurve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, ka kaluar në mbi 2.1 milionë.

SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja janë pajtuar për mbajtje të kujfive të mbyllur deri më 21 korrik, duke vazhduar masat e kufizimit në udhëtim.

Për dallim nga këto vende, shumë shtete në Evropë kanë rihapur kufijtë për udhëtarët brenda vendeve të Bashkimit Evropian, pas tre muajve të masave kufizuese.

Evropa fillimisht ka qenë kontinenti i prekur më së keqi nga koronavirusi, mirëpo tani numri i rasteve të reja, i të hospitalizuarve dhe të vdekurve ka rënë në mënyrë dramatike, ndonëse ekonomia është rihapur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat