Trump sulmon ish-këshilltarin Bolton rreth librit të ri

Amerika

Trump sulmon ish-këshilltarin Bolton rreth librit të ri

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 05:50
Trump dhe Bolton

Presidenti i SHBA Donald Trump ndërmori një sulm të ashpër të enjten kundër ish-këshilltarit të tij të sigurimit kombëtar John Bolton, pas botimit prej zotit Bolton të një libri të ri, ku e quan presidentin një komandant të përgjithshëm "të paparashikueshëm" dhe "të painformuar, aq sa të habit”.

Në një seri komentesh të hidhura në Twitter, Presidenti Trump tha se libri i zotit Bolton është "një përmbledhje gënjeshtrash dhe historish të sajuara.” “Të gjitha janë me qëllimin për të më paraqitur në dritë të keqe. Shumë prej deklaratave qesharake që ai më atribuon nuk janë bërë kurrë, janë trillime të pastra. Thjesht përpiqet të marrë hak për faktin që e shkarkova, si një qenush i neveritshëm që është,” shkruan Presidenti Trump.

Udhëheqësi amerikan e quan zotin Bolton "një budalla të pakënaqur e të mërzitshëm që donte vetëm e vetëm të bënte luftë. Ai kurrë nuk kishte idenë, nuk ia varte njeri dhe u hodh tej, për fat të mirë. Sa i trashë! "

Presidenti Trump rrallëherë ka pranuar gabime gjatë mandatit të tij, por ai shkroi në Twitter se në vitin 2018, kur Bolton sapo kishte filluar punën në Shtëpinë e Bardhë si dhe vitin pasardhës, ai duhet ta kishte shkarkuar atë menjëherë dhe pa mëdyshje!" Ai tha se zoti Bolton "në mënyrë të trashë" bëri komente në një program televiziv lajmesh lidhur me pikëpamjen e SHBA për të ardhmen e Koresë së Veriut, gjë që komplikoi negociatat e Presidentit me diktatorin e Phenianit, Kim Jong Un, të cilat sapo kishin filluar.

Kërkohet urdhri i gjykatës

Shtëpia e Bardhë po kërkon një urdhër gjykate për të bllokuar botimin e librit prej 577 faqesh me titull "Dhoma ku ndodhi", i planifikuar të dalë në treg javën e ardhshme. Administrata thotë se libri përmban informacion konfidencial të sigurisë kombëtare që duhet të mbahet sekret edhe pse disa media amerikane morën kopje paraprakisht dhe nisën të raportojnë gjerësisht rreth akuzave të zotit Bolton.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany e quajti vendimin e zotit Bolton për të mos ndryshuar planet e botimit të librit "absolutisht të tmerrshëm" dhe "të neveritshëm".

Ajo hodhi poshtë si të pavërtetë atë që duket se përbën akuzën më të fortë të zotit Bolton, se në një samit të Grupit të 20-s në qershor 2019, Presidenti Trump kërkoi ndihmën e udhëheqësit kinez Xi Jinping për të fituar një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.

Rrëfimet Bombastike në Librin e Boltonit

Zoti Bolton, i cili mori një paradhënie prej 2 milionë dollarësh për librin, thotë se Presidenti Trump i kishte kërkuar homologut kinez Xi të blinte më shumë produkte bujqësore amerikane nga rajone në qendër të vendit, për ta ndihmuar presidentin të sigurojë mbështetje në shtetet rurale.

Zoti Bolton tha se Presidenti Trump “në mënyrë shokuese e ktheu bisedën tek zgjedhjet presidenciale, duke aluduar për fuqinë ekonomike të Kinës, për të ndikuar në fushatë, duke iu lutur zotit Xi të garantonte fitoren e tij. Ai theksoi rëndësinë që kanë fermerët dhe rritja e sasisë së sojës dhe grurit që do të blinte Kina, në rezultatin e zgjedhjeve. Do t’i hidhja në letër fjalët ekzakte të zotit Trump, por procesi qeveritar i kontrollit para botimit të librave rezultoi në tjetër vendim”.

Bazuar në rrëfimin e zotit Bolton, pretendenti demokrat në zgjedhjet e nëntorit, ish-nënpresidenti Joe Biden akuzoi presidentin se “ka treguar gatishmëri për të shitur vlerat tona më të vyera demokratike për premtimin bosh të një marrëveshjeje kalimtare tregtie që do ta shpëtonte nga beteja shkatërrimtare e tarifave, e cila ka dëmtuar shumë rëndë fermerët, kompanitë e prodhimit industrial dhe konsumatorët””.

“Nëse këto pretendime janë të vërteta,” tha zoti Biden përmes një deklarate, “nuk kemi të bëjmë thesht me diçka moralisht të dënueshme, por me shkelje nga Donald Trumpi të detyrës së shenjtë kundrejt popullit amerikan për të mbrojtur interesat e Amerikës dhe vlerat tona”.

Bazuar në bisedat e tij me zotin Trump dhe pranisë së tij në diskutime, John Bolton ngre pretendimin se presidenti mendonte se Finlanda ishte pjesë e Rusisë dhe nuk ishte në dieni se Britania zotëron armë bërthamore. Zoti Bolon thotë se Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo i kishte kaluar një copë letër ku e ofendonte me fjalë vulgare presidentin, ndërkohë që po zhvilloheshin bisedimet me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong Un në takimin e nivelit të lartë në Singapor.

Zoti Bolton shkruan se Presidenti Trump e kishte zakon “të vinte në pikëpyejte motivet e të tjerëve, shihte komplote pas çdo guri dhe vazhdoi të mbetej i painformuar për mënyrën si veprohet në Shtëpinë e Bardhë, aq më tepër për mënyrën si operon qeveria federale”. John Bolton ngre pretendimin se presidenti gjithmonë udhëhiqej nga “instinkti personal” dhe shihte mundësi për sjellje si në një emision “reality TV”.

Kritika nga demokratët

Përveç reagimit të Presidentit Trump ndaj librit, kritika ka pasur edhe nga ligjvënësi demokrat Adam Schiff, i cili udhëhoqi vjet me sukses përpjekjet për ngritjen e akuzave kundër Presidentit Trump për komunikimet e tij me Ukrainën. Presidenti u lirua nga akuzat në shkurt.

Zoti Schiff komentoi në Twitter se stafi i zotit Bolton ishte thirrur vjet për të dëshmuar për sjelljen e presidentit gjatë procesit për shkarkimin e tij të mundshëm vjet. Ata u paraqitën para ligjvënësve për dëshmi.

“Ata rrezikonin të humbisnin shumë, por treguar kurajo,” tha zoti Schiff. “Kur i kërkuan zotit Bolton të dëshmonte, ai refuzoi dhe tha se do të ngrinte padi në gjyq nëse i dërgohej zyrtarisht thirrje për dëshmi”.

“Në vend të dëshmisë, ai i ka ruajtur rrëfimet për të botuar libër. John Bolton mund të jetë autor, por ai nuk është kurrsesi patriot,” shkruan zoti Schiff.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat