Ekspertët: Reforma në arsim ndihmon për eliminimin e diskriminimit racor - Bota Sot
Ekspertët: Reforma në arsim ndihmon për eliminimin e diskriminimit racor

Amerika

Ekspertët: Reforma në arsim ndihmon për eliminimin e diskriminimit racor

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 06:26
Ilustrim

Vdekja e 46-vjeçarit George Floyd më 25 maj në Mineapolis gjatë arrestit ka zgjuar një valë protestash dhe diskutimesh mbi racizmin në Amerikë. Disa ekspertë besojnë se e vetmja mënyrë për ta luftuar problemin është informimi më i mirë.

Në këtë periudhë protestash të nxitura nga vdekja e George Floyd, Muzeu Kombëtar për Historinë dhe Kulturën Afrikano-Amerikane në Uashington ka krijuar një portal online të quajtur “Diskutim mbi Racën”. Projekti informon vizitorët për racizmën dhe dinamikën e marrëdhënieve racore në shoqërinë amerikane:

“Në këtë portal ka një histori të shkurtër të racizmit, sidomos në kontekstin e historisë amerikane. Duam të ndihmojmë individët dhe komunitetet të reflektojnë për identitetin në këndvështrimin e racës,” thotë Candra Flanagan me Muzeun Kombëtar Afrikano-Amerikan.

Portali online është rezultat i një pune disa-vjeçare të personelit të muzeut dhe përfshin kërkime të hollësishme në aspektin historik, shkencor dhe psikologjik.

“Heshtja është e rrezikshme. Heshtja flet në mënyra të tjera. Kur nuk diskutohet problemi racor fare, pretendohet se nuk ekziston, pretendohet se nuk ka dallime racore, kur diskutohet në mënyrë sipërfaqësore, nuk kemi mundësi të shohim me objektivitet se çfarë po ndodh në botë, nuk arrijmë të komunikojmë me njerëz të kulturave të tjera, ose qoftë brenda grupit tonë,” thotë zonja Flanagan.

Materialet që përdoren për këtë projekt ofrojnë informata me fakte por edhe zgjidhje për problemet racore që vërehen në të gjitha aspektet e jetës amerikane, nga ekonomia, tek politika, kultura e arsimi.

“Zakonisht ka një variant të vetëm që dëgjon nxënësi në shkollë, variantin që tregohet nga perspektiva e meshkujve së bardhë. Ne duam që historia të tregohet nga perspektiva të ndryshme. Historia afrikano-amerikane është pjesë e historisë amerikane, është historia e Shteteve të Bashkuara,” thotë Anna Hindley, e cila punon në Muzeun Kombëtar Afrikano-Amerikan.

Megjithatë, Gary Orfield, profesor dhe bashkë-drejtor i Projektit për të Drejta Civile në Universitetin e Kalifornisë UCLA, thotë se problemi e ka zanafillën jo thjesht tek përmbajtja e arsimit amerikan, por edhe te struktura e tij. Në 2006, Projekti për të Drejta Civile i themeluar nga zoti Orfield publikoi një raport që arrin në përfundimin se niveli i ndarjes racore në SHBA nuk është përmirësuar shumë krahasuar me 1960. Ai shton se situata është rënduar më shumë që nga koha e botimit të raportit 14 vjet më parë.

“Kemi probleme racore dhe klasore. Një nxënës me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara, qoftë afrikano-amerikan apo latino apo i populallës indigjene, kryesisht ndjek mësimet në shkolla në lagje të varfër, me mësues më të dobët, me një program mësimor më të kufizuar, me konkurrencë më të dobët nga nxënësit e tjerë dhe me prindër që nuk kanë shumë fuqi për të ushtruar influencë në shkollë,” thotë zoti Orfield.

Profesor Orfield beson se ndarja racore ushqehet nga polarizimi i të ashtu-quajturave shkolla të pavarura, që janë institucione private, të cilat nuk janë të detyruara si shkollat publike të pranojnë të gjithë nxënësit pavarësisht nga raca. Po ashtu këtyre shkollave nuk u kërkohet të përfshijnë edukatën qytetare në programet mësimore:

“Në vitet 1960 dhe në fillim të 1970, kishim një numër politikash për të integruar shkollat dhe për t’i përmirësuar me fonde që të eliminonim pengesat në mënyrë që më shumë nxënës me ngjyrë të ndiqnin shkolla më të mira. Por këto përpjekje janë braktisur në masën më të madhe, pasi Gjykata e Lartë është bërë më konservatore dhe distriktet shkollore u lejuan të heqin dorë nga planet e zhbërjes së ndarjes racore,” thotë profesor Orfield.

Profesor Orfield shton se është e nevojshme të rikthehen metodat e kapërcimit të ndarjes racore në shkolla që përdoreshin gjerësisht gjatë lëvizjes për të drejta civile dhe t’u jepet mundësia prindërve të zgjedhin shkollën që do të ndjekin fëmijët./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat