Marshime në mbarë Amerikën për të shënuar Ditën e “Juneteenth”

Amerika

Marshime në mbarë Amerikën për të shënuar Ditën e “Juneteenth”

Më: 20 qershor 2020 Në ora: 06:53
Marshime në mbarë Amerikën për të shënuar Ditën e “Juneteenth”

Mijëra amerikanë marshuan sot në qytete në mbarë vendin për të shënuar “Juneteenth”, ditën që shënon fundin e skllavërisë 155 vite më parë. Këtë vit, ajo mori një rëndësi të shtuar pas demonstratave të gjera ndaj ushtrimit të tepruar të dhunës nga policia dhe ndaj pabarazisë racore.

Festa zakonisht bëhet me aktivitete në komunitet dhe të ngrënit së bashku në mjedise të hapura. Por, këtë vit ato u anulluan në masë për shkak të shqetësimeve për koronavirusin. Sidoqoftë, aktivistë në mbarë vendin organizuan tubime, marshime dhe protesta me autokolona makinash për të shënuar këtë ditë. Disa marshime ndodhën të premten në Uashington, të cilët u takuan tek rruga e riemërtuar rishtazi “Black Lives Matter”, përballë Shtëpisë së Bardhë.

Proklamata e Emancipimit liroi skllevërit në shtetet jugore amerikane në 1963, por skllevërit e fundit në shtetin e Teksasit nuk u liruan deri në 1865, kur trupat e Unionit mbërritën në qytetin e Galvestonit.Vitin tjetër, ish-skllevërit filluan të festonin këtë ditë në Galveston duke e quajtur festën “Juneteenth” një kombinim i fjalës June, për muajin qershor dhe nineteenth, për datën 19. Festimet u shpërndanë gjatë viteve në shtete të tjera amerikane si dhe në vende të tjera si Gana, Koreja e Jugut dhe Izrael.

Disa shtete amerikane, përfshirë Virxhinian dhe Nju Jorkun e kanë caktuar Juneteenth si festë shtetërore. Punonjësit e qeverive lokale në këto shtete e kanë pushim me pagesë. Ka edhe korporata që u japin punonjësve pushim. Për shkak të pandemisë, janë reduktuar festimet dhe në vend të tyre po zhvillohen lidhje përmes internetit. Grupe të tjera të angazhuar në protesta paqësore, në përpjekje për regjistrimin e votuesve dhe fushata për të mbështetur biznese të afrikano-amerikanëve.

Presidenti Trump tha në një deklaratë të premten se Dita Juneteenth “është edhe ditë përkujtimi i një të kaluare të hidhur të historisë sonë, edhe festë për të shënuar aftësinë e kombit tonë për të dalë ngadhnjimtar mbi errësirën”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat